‘Jo Barcelonës’, Laporta kritikon Atletico Madridin për rastin Alvarez
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka kritikuar ashpër Atletico Madridin për mënyrën se si klubi madrilen u soll gjatë sagës së transferimit të Julian Alvarezit.
Alvarez kishte shprehur dëshirën për t’u larguar nga Atletico Madridi dhe për t’iu bashkuar Barcelonës, por klubi madrilen ishte kategorik në qëndrimin e tij për të mos e shitur sulmuesin argjentinas te kampionët e Spanjës.
Barcelona kishte mbajtur të hapur mundësinë e transferimit deri në ditën e fundit të afatit kalimtar, më 1 shtator, edhe pse oferta e katalanasve nuk i plotësonte kërkesat e Atletico Madridit.
Laporta ka thënë se drejtuesit e klubit madrilen nuk kishin arsye për mënyrën se si reaguan gjatë negociatave.
“Atletico tregoi ngjyrat e veta. Ata u sollën sikur ishin pala e ofenduar, por nuk kishin asnjë mënyrë për ta justifikuar qëndrimin e tyre. Ne bëmë atë që bëhet zakonisht, pasi kishte bisedime mes klubeve dhe unë personalisht fola me Gil Marinin”, deklaroi Laporta.
Presidenti i Barcelonës zbuloi se fillimisht kishte marrë garanci se Alvarez nuk do të largohej për shkak të mungesës së një alternative, por më pas situata ndryshoi.
“Ai më tha se Julian nuk do të largohej sepse nuk kishin alternativë, pastaj Atletico reagoi në mënyrë të papërshtatshme. Nuk e di çfarë e shkaktoi këtë. Mund ta imagjinoj pse, por nuk kam prova”, shtoi Laporta.
Ai pretendon se Barcelona kishte dëgjuar se Atletico ishte i gatshëm ta shiste Alvarez në çdo klub tjetër, përveç rivalit katalanas.
“Dëgjuam raportime se do ta shisnin Julianin te çdo klub në botë, përveç Barcelonës. Ata ishin të gatshëm ta shisnin te çdo klub tjetër, por jo te ne”, u shpreh Laporta.
Në fund, presidenti i Barcelonës theksoi se klubi tashmë e ka lënë pas këtë çështje.
“Tashmë është pjesë e së kaluarës. Ne jemi shumë të lumtur me skuadrën që kemi”, përfundoi ai.























