Muriqi, Rashica dhe Kaçuri i bashkohen Kosovës para duelit me Irlandën
BKT
Sport

Muriqi, Rashica dhe Kaçuri i bashkohen Kosovës para duelit me Irlandën

Sh.Ç/RTKlive

Kombëtarja e Kosovës ka nisur grumbullimin në prag të sfidës së radhës ndaj Irlandës në kuadër të Ligës së Kombeve.

Në Prishtinë kanë mbërritur sulmuesi Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe mbrojtësi Dion Kaçuri, i cili së fundmi ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën pas largimit nga Zvicra.

Futbollistët janë pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Në qendër të vëmendjes është edhe Vedat Muriqi, i cili po kalon një periudhë të mirë me Fenerbahçen. Në ndeshjen e fundit, sulmuesi kosovar realizoi katër gola ndaj Eyüpsporit.

Kombëtarja e Kosovës nis sot grumbullimin për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndërsa Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar për agjendën e ditës së parë të përgatitjeve.

Në orën 12:00, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, do të mbajë konferencë për media, ku pritet të flasë për përgatitjet e Dardanëve dhe sfidat e ardhshme të përfaqësueses.

Ndërkohë, në orën 17:00, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo shënon nisjen zyrtare të grumbullimit të futbollistëve të Kosovës, ndërsa vëmendja kryesore sot do të jetë te deklaratat e përzgjedhësit Foda dhe puna e parë e skuadrës në fushë.