Rumania dhe Polonia marrin çmimet kryesore në `Summer Culture 13`
BKT
Kulturë

Rumania dhe Polonia marrin çmimet kryesore në `Summer Culture 13`

RTKlive

Festivali ndërkombëtar i arteve performuese “Summer Culture 13” është mbyllur të dielën me ndarjen e çmimeve për shfaqjet pjesëmarrëse, pas një edicioni të suksesshëm me shfaqje nga vende të ndryshme, që sollën vlera të larta artistike për publikun dhe artistët kosovarë.

Juria ia ka ndarë çmimin për shfaqjen më të mirë performancës “#notI” nga Rumania. Ky çmim iu dha për gjuhën e fuqishme dhe të veçantë teatrale, si dhe për trajtimin e guximshëm të temave me rëndësi për shoqërinë bashkëkohore.

Shfaqja arrin të ndërthurë me sukses materialin dramaturgjik të fragmentuar, muzikën, interpretimin aktorial dhe elementet vizuale, duke krijuar një përvojë skenike koherente dhe tërheqëse, me një vijë të qartë dramaturgjike dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun dhe realitetet e shoqërisë bashkëkohore.

Çmimin për regjisorin më të mirë e fitoi Marcin Bortkiewicz me shfaqjen “Mad Dog” nga Polonia. Ky çmim iu dha për strukturën e menduar me kujdes të shfaqjes dhe zhvillimin e saj dramaturgjik, si dhe për punën e tij të ndjeshme me aktorin në ndërtimin dhe drejtimin e zhvillimit emocional dhe dramatik të personazhit.

Edhe çmimi për aktorin kryesor shkoi te kjo shfaqje. Sebastian Słomiński u vlerësua për interpretimin e tij mjeshtëror.

Ky çmim iu dha për interpretimin e tij të jashtëzakonshëm dhe për zhvillimin emocional të personazhit, të ndërtuar me delikatesë dhe mjeshtëri. Përmes një pune të saktë fizike dhe vokale, ai përshkon gjendjet e ndryshme të personazhit me përmbajtje, thellësi dhe një kontroll të jashtëzakonshëm emocional.

Çmimi për aktoren më të mirë në rol kryesor iu nda rumunes Andreea Tănase për interpretimin në shfaqjen “#notI”.

Ky çmim iu dha për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm skenik ndaj temave me rëndësi shoqërore dhe për aftësinë për të përçuar një material dramaturgjik kompleks dhe të fragmentuar me saktësi dhe intensitet emocional.

Prania e saj e fuqishme krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun, ndërsa ajo lëviz me natyrshmëri ndërmjet regjistrave të ndryshëm emocionalë dhe narrativë. Përmes një angazhimi të fuqishëm fizik dhe vokal, ajo i jep koherencë dhe thellësi një materiali bashkëkohor kompleks dhe sfidues.

Çmimi special iu nda shfaqjes nga Kosova “KRAVATA”.

Ky çmim u dha për eksplorimin e guximshëm të temave me rëndësi shoqërore përmes një gjuhe komplekse teatrale, si dhe për punën e fuqishme kolektive në ndërtimin e shfaqjes si një tërësi koherente dhe të unifikuar.

Çmimi për aktoren më të mirë në rol dytësor iu dha Ayça Yalçinkaya, e cila luajti në shfaqjen nga Turqia “Dog, Woman, Man”.

Ky çmim u dha për interpretimin e saj të ndjeshëm dhe emocional, praninë e fuqishme skenike dhe aftësinë për të mbështetur dhe pasuruar tërësinë e shfaqjes përmes interpretimit të saj.

Kurse çmimi për aktorin më të mirë në rol mbështetës iu dha aktorit Mustafa Gürbüz, për interpretimin në “Dog, Woman, Man”.

Ky çmim u dha për interpretimin e tij dinamik dhe ndjeshmërinë e shkëlqyer ndaj ritmit komik, duke sjellë energji, saktësi dhe gjallëri në situatat komike të shfaqjes.

Drejtoresha e festivalit, profesoresha dhe regjisorja e teatrit, Eli Nura, e vlerësoi këtë edicion si një arritje të re për festivalin në promovimin ndërkombëtar dhe krijimin e partneriteteve të reja me vende të ndryshme.

Festivali Ndërkombëtar i Arteve Performuese “Summer Culture” u mbajt prej 15 deri më 20 shtator në hapësirën e Qendrës Barabar në Prishtinë, duke sjellë në një program të përbashkët artistë, regjisorë, interpretues, autorë e studiues nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.

Gjashtë produksione nga Kosova, Rumania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Polonia dhe Turqia u prezantuan në festival. Krahas shfaqjeve teatrore, u mbajt edhe konferenca teatrore, një lexim skenik, sesione rrjetëzimi, diskutime pas shfaqjeve, aktivitete muzikore, stand-up comedy dhe ekspozitë me punime të krijuesve të rinj.

Juria e këtij edicioni ishte e përbërë nga aktorja dhe regjisorja Suela Konjari nga Shqipëria, regjisorja Erleta Rexhepi dhe regjisorja, producentja e menaxherja kulturore Ana Bateva nga Bullgaria.

Përmes bashkimit të krijuesve vendorë dhe ndërkombëtarë në të njëjtën skenë, “Summer Culture” synon që, përtej karakterit garues, të krijojë hapësirë për shkëmbim artistik, dialog dhe bashkëpunime të reja ndërmjet skenave teatrore nga vende të ndryshme.

Festivali është pjesë e programit vjetor të Cult Club, që mbështetet nga Ministria e Kulturës.


MË SHUME NGA Kulturë