Në Orllan kërkohet drejtësi për çlirimtarët /Video
Zenel Hajrizi / RTK
Protestë sot pati edhe në vendlindjen e heroit Zahir Pajaziti, në Orllan, duke kërkuar drejtësi për çlirimtarët. Nga aty u bë thirrje për unitet kombëtar e shtetëror, ndërsa pjesëmarrësit kritikuan proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Nga vendlindja e heroit Zahir Pajaziti, në Orllan, u kërkua unitet kombëtar dhe shtetëror në mbështetje të çlirimtarëve dhe në kërkim të drejtësisë për ta.
Ish-bashkëluftëtari i Zahirit, Nuredin Ibishi, tha se drejtësia duhet të bazohet në prova dhe jo në, siç u shpreh ai, sisteme manipuluese.
“Drejtësi me prova, me të drejtë, jo me sisteme lobuese e manipuluese. Unë shpresoj shumë në Gjykatën e Apelit, që ta thotë të drejtën dhe çlirimtarët të lirohen. Por, njëkohësisht, duhet të vazhdojmë me çështjet lobuese, si dhe me zbardhjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, duke filluar nga masakra e familjes Jashari”, ka thënë Ibishi.
Nga vendlindja e Zahir Pajazitit, mesazhe për drejtësi përcolli edhe Isak Shabani, i cili tha se askush nuk mund të flasë në emër të popullit pa e dëgjuar zërin e tij.
“Unë e kam përjetuar masakrën e Dubravës. Kam përjetuar vdekjen e 100 shokëve që u pushkatuan në rresht me mua, ndërsa mbi 300 shokë të tjerë u plagosën. Kam kaluar ditë e net mes të vrarëve dhe të plagosurve dhe sot pyes: ku është drejtësia për ta?, Kush u përgjigj për qindra masakra në Kosovë?”, ka thënë Shabani.
Shabani tha se krimet në Kosovë u kryen nga regjimi i Millosheviqit, ndërsa qindra masakra dhe personat e pagjetur, edhe pas më shumë se një çerek shekulli, mbeten dëshmi e krimeve të kryera gjatë luftës.























