Nisin xhirimet e filmit të ri “DUA TË SHKOJ SËRISH NË DET”
M.P. / RTKlive
Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “DUA TË SHKOJ SËRISH NË DET”, me skenar dhe regji nga regjisori kosovar Leart Rama.
Filmi rrëfen historinë e Valit, një studenti të ri të filmit, i cili zgjohet pas një ëndrre ku sheh trupin e tij të pajetë buzë detit. Përballë pritshmërive të familjes dhe të fejuarës së tij, Tringës, që ai t’i rikthehet jetës së planifikuar për të, Vali tërhiqet drejt filmit të diplomës.
Përmes këtij projekti filmik, ai kërkon të shprehë atë që nuk ka mundur ta thotë drejtpërdrejt, duke e kthyer filmin në një mënyrë për t’u përballur me dilemat dhe zgjedhjet e tij personale.
Në rolet kryesore janë Redon Kika, Florist Bajgora, Gjeni Basha, Don Shala dhe Alban Ukaj, së bashku me aktorë të tjerë.
Xhirimet po zhvillohen në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa sipas ekipit të filmit, ato pritet të përfundojnë në mesin e muajit tetor.
“DUA TË SHKOJ SËRISH NË DET” është bashkëprodhim i Plan Bee Films nga Kosova, me producente Valmira Hyseni, dhe ArtAlb Film Productions nga Shqipëria, me bashkëproducentë Blerina Hankollari dhe Gentian Koçi.
Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.























