Haxhiu fton në takim familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit
G.K/RTKlive
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pritet të zhvillojë gjatë kësaj jave një takim me familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Takimi do të mbahet në Presidencë, ndërsa burime brenda këtij institucioni kanë konfirmuar për RTKlive se familjet e ish-krerëve të UÇK-së janë ftuar nga Haxhiu për këtë takim.
“Po, mund ta konfirmojmë se u.d. Presidentja Albulena Haxhiu i ka ftuar në takim familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, thuhet në përgjigjen e Presidencës për RTKlive.
Ftesa vjen pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Më 16 shtator, Haxhiu e kishte cilësuar aktgjykimin dhe dënimet si një lajm “thellësisht tronditës” për Kosovën.
“Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, që ka prekur thellë të gjithë qytetarët e Kosovës, u.d. Presidentja ka vlerësuar si të rëndësishme fillimisht takimin me familjet e ish-krerëve të UÇK-së ku do të mund të diskutojnë rrugën e strategjinë përpara që duhet ta ndjekim si shtet e si shoqëri”, thuhet më tej në përgjigje.
Nga Presidenca kanë bërë të ditur se për ditën dhe orën e takimit do të njoftojnë me kohë.























