Propagandë mediatike kundër Kosovës|VIDEO
Visar Shatrolli /RTK
Në ditën kur në Hagë u shqiptuan aktgjykimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, mediet serbe në Kosovë zgjodhën ta trajtojnë vendimin e gjykatës përmes një karikature tallëse.
Kosovo Online publikoi katër fanella futbolli, me emrat e krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në vend të numrave të lojtarëve, në fanella vendosën vitet e dënimeve të shqiptuara nga gjykata: 25, 18, 25 dhe 13 vjet burgim.
Një vendim gjyqësor, i cili në Kosovë cilësohet si padrejtësi e madhe, u përjetua me dhimbje dhe zhgënjim, në këtë rast shndërrohet në një imazh të stilit sportiv dhe përdoret si element ironizues.
Kjo karikaturë e kthen dënimin në një simbol talljeje, duke e paraqitur atë si një lloj “rezultati” sportiv.
Pikërisht kjo mënyrë e prezantimit e lajmit përbën një dimension provokues dhe emocional.
Edhe mediet tjera serbe në Kosovë dhe Serbi po e përdorin aktgjykimin e Speciales për ta sulmuar Kosovën.
Gazeta serbe “Alo”, e titulloi lajmin kinse sipas tyre “Kriminelët e dënuar të UÇK-së, por jo për spastrimin etnik të serbëve”, ndërsa pretendoi se me këto dënime janë “minuar themelet e shtetit të rremë”. Kështu, një vendim ndaj katër individëve paraqitet nga kjo media si goditje ndaj vetë Kosovës dhe shtetësisë së saj.
“KAOS TOTAL NË PRISHTINË!” dhe “GJENDJE RRETHIMI”, mediet serbe nuk raportuan thjesht për protestat – ato tentuan ta ndërtojnë një imazh të Kosovës si një vend i zhytur në trazira dhe destabilitet. Një incident u shndërrua në “kaos”, një protestë në “shtetrrethim”, ndërsa Prishtina u paraqit sikur ishte në flakë. Në këtë mënyrë e paraqiti media tjetër serbe “Blic” Kosovën me 16 shtator, duke e përdoru narrativen e vjetër propagandistike me qëllim, portretizimin e Kosovës si shtet të pasigurt dhe të dhunshëm.
Në këtë mënyrë propaganda e medieve serbe kundër UÇK-së dhe Kosovës është e përditshme.
Dhe, sipas njohësve të kësaj fushe, kjo nuk është një qasje e rastësishme. " Kosovën Serbia gjithmonë e përdorë në aspektin gjeopolitik në takimet me ambasador të nivelit të lartë, ku gjithmonë mundet mi paraqitë gjendjen e serbëve si të tmerrshme që persekutohen cdo ditë dhe Kosovës ta paraqes si projekt i dështuar i perëndimorëve”, tha për RTK, Festim Rizanaj, hibrid.info.
E tërë kjo propagandë e medieve dhe zyrtarëve shtetërorë serbë përdoret për ta paraqitur Kosovës si një shtet jofuknsional, të pasigurt dhe vend të tensionuar.
"Edhe ato çka nuk janë përmendur në Gjykatën e Hagës do t’ia mveshin UCK dhe krimeve që kinse është duke i bërë Kosova edhe në tërësi është duke i bërë çdo qeveri, është një propagandë që tashmë ata pothuajse e kanë pasur të mirë menduar që ma herët dhe do ta keqpërdorin në çdo moment", tha Gurakuç Kuçi nga Instituti Octopus.
Sipas njohësve të sigurisë, çdo zhvillim që lidhet me Kosovën shfrytëzohet nga Serbia për ta goditur imazhin e saj dhe për ta paraqitur atë negativisht në arenën ndërkombëtare.























