Siguria dhe të drejtat e policëve|VIDEO
BKT
Lajme

Siguria dhe të drejtat e policëve|VIDEO

Kaltrina Rexhepi|RTK

Janë ndër të parët që reagojnë sa herë rrezikohet siguria publike dhe ajo e vendit. Por, gjatë ushtrimit të detyrës, edhe vetë zyrtarët policorë përballen çdo ditë me rreziqe që mund t’u kushtojnë me shëndet, madje edhe me jetë.

Vetëm gjatë këtij viti, dy zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë humbur jetën në krye të detyrës. Ndërsa, që nga themelimi i Policisë, numri i zyrtarëve që kanë humbur jetën gjatë detyrës ka arritur në 26.

Edhe më i lartë është numri i policëve që lëndohen apo përballen me probleme shëndetësore si pasojë e natyrës së punës.

“Në tri vitet e fundit dhe në këtë pjesë të këtij viti janë lënduar dhe sëmurë 390 zyrtarë në nivel vendi”, tha për RTK, Avdi Hoti, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës

Pikërisht për shkak të rrezikut dhe natyrës së veçantë të këtij profesioni, Sindikata e Policisë kërkon që zyrtarët policorë të mos presin moshën 65-vjeçare për pensionim. Kërkesa e tyre është që pensionimi i rregullt për zyrtarët policorë të bëhet në moshën 55-vjeçare.

“Policia e Kosovës dhe Sindikata gjithmonë kanë bërë thirrje që pensionimi i policëve të bëhet në moshën 55-vjeçare. Nuk është pensionim i parakohshëm, por pensionim i rregullt, për arsye se Policia e Kosovës ka një punë me shumë përgjegjësi dhe mjaft sfiduese, ku polici konsumohet si njeri për shkak të profesionit. Ne kemi kërkuar që të bëhet një pensionim i tillë”, tha Avdi Hoti, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës

Kërkesat për mbrojtje më të madhe të zyrtarëve policorë tashmë po adresohen edhe përmes një iniciative të “Konsorciumit për të Drejta të Punës”, të udhëhequr nga Qendra e Burimeve dhe Trajnimit për Avokim. Konsorciumi u është drejtuar institucioneve me një sërë rekomandimesh konkrete për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë së zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Në mesin e kërkesave kryesore është plotësimi i kuadrit ligjor, në mënyrë që mbrojtja e zyrtarëve policorë të mos mbetet vetëm një e drejtë e paraparë në letër.

Kërkohet rregullimi i sigurimit shëndetësor, përcaktimi më i qartë i kompensimit për lëndimet, dëmtimet e përhershme dhe sëmundjet profesionale të shkaktuara gjatë detyrës, si dhe garantimi i ndihmës juridike për zyrtarët policorë. Një tjetër kërkesë është hartimi i një ligji të veçantë për pensionimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në këtë ligj kërkohet të përfshihet edhe pensioni invalidor për zyrtarët të cilët, si pasojë e lëndimeve të marra gjatë detyrës, mbesin të paaftë për punë.


MË SHUME NGA Lajme