Dita e shtatë e protestës në Prishtinë kundër aktgjykimit të Speciales
K. K. / RTKlive
(E plotësuar) Për të shtatën natë me radhë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë po protestohet kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit po kundërshtojnë Aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.



Rame Lahaj: Për hir të gjakut të dëshmorëve, bëhuni bashkë
Në ditën e shtatë të protestës në Prishtinë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale, tenori shqiptar me famë botërore, Rame Lahaj, u ka bërë thirrje qytetarëve për unitet.
Lahaj, përmes një mesazhi gjatë protestës, ka kërkuar që shqiptarët të bëhen bashkë, duke theksuar se “për hir të gjakut të dëshmorëve” duhet të jenë të bashkuar. “Për hir të gjakut të dëshmorëve, bëhuni bashkë se atdhe tjetër nuk kemi! Rroftë Kosova, rroftë UÇK-ja!”, ka thënë Lahaj. Mesazhi i tij është përcjellë me thirrjet “UÇK! UÇK! UÇK!” nga protestuesit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Haziri: Protesta nuk është për parti politike
Në fjalimin e tij sonte, një prej organizatorëve, Çlirim Haziri theksoi se protesta në mbështetje të UÇK-së ka hyrë në javën e dytë dhe se pjesëmarrësit nuk janë lodhur dhe nuk do të tërhiqen. Ai e lidhi protestën me 28-vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, duke thënë se shtatë ditë protestë janë pak përballë sakrificës së dëshmorëve.
Ai ka thënë se protesta nuk është për parti politike, por për një kauzë dhe kundërshtim të asaj që protestuesit e konsiderojnë përpjekje për njollosjen e luftës së UÇK-së. Haziri përmendi edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të dorëzuar në Kuvend, duke kërkuar përgjigje nga institucionet.

























