Koci: Mesazhi i Speciales është se shqiptarët s`kanë pasur të drejtë të luftojnë
K. K. / RTKlive
Politologu Melazim Koci ka thënë se aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të shërbejë si moment bashkimi për shqiptarët.
Duke folur në RTK Prime, Koci iu referua një postimi të Shqiptar Demaçit, duke thënë se nëse edhe kjo ngjarje nuk i bashkon shqiptarët, atëherë nuk ka kush t’i vajtojë.
Sipas Kocit, shqiptarët ndodhen përballë një sfide të madhe pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
“Sfida konsiston në faktin që kemi të bëjmë me masakër gjyqësore ndaj katër liderëve të UÇK-së, por jo vetëm kaq”, tha Koci.
Ai deklaroi se, sipas bindjes së tij, mesazhi i aktgjykimit është se shqiptarët nuk kanë pasur të drejtë të luftojnë.
“Mesazhi i Dhomave të Specializuara në bindjen time është: Ju shqiptarët nuk keni pasur të drejtë të luftoni!”, deklaroi ai.
Koci e mbështeti këtë qëndrim duke iu referuar, siç tha ai, një liste sipas së cilës shqiptarët në Tribunalin e Hagës dhe Dhomat e Specializuara kanë marrë 128 vjet burgim, ndërsa serbët 107 vjet.
Ai theksoi dallimin mes forcave serbe dhe UÇK-së, duke argumentuar se Serbia kishte një ushtri, polici dhe struktura paramilitare të organizuara.
“Shqiptarët nuk është dashur të jenë atje fare! Absolutisht!”, tha Koci.























