Peja nis aventurën evropiane, përballë Dinamo Bukureshtit, transmetohet në RTK
Sh.Ç/RTKlive
KB Peja sonte nis rrugëtimin në garat evropiane, me synimin për të siguruar një vend në fazën e rregullt të FIBA Europe Cup. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Skuadra pejane do të përballet me Dinamo Bucharestin në ndeshjen e parë të raundit kualifikues, e cila zhvillohet në palestrën “Karagaçi”, me fillim nga ora 20:15, e cila transmetohet në RTK.
Dinamo Bucharest është një prej skuadrave më të njohura të basketbollit rumun dhe në historinë e saj numëron 22 tituj kampionë të Rumanisë.
Për Pejën, sfida e sotme është hapi i parë drejt objektivit për të kaluar në fazën e rregullt të FIBA Europe Cup. Dueli zhvillohet në dy ndeshje, me takimin e parë në Pejë më 23 shtator, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 30 shtator në Bukuresht.
Skuadra që triumfon në përballjen e dyfishtë siguron kualifikimin në fazën e rregullt. Në këtë fazë janë tri çifte kualifikuese, ndërsa përveç tri skuadrave fituese, në fazën tjetër do të kalojë edhe një ekip si “lucky loser” – skuadra më e mirë e renditur ndër tri humbëset, në përputhje me rregullat zyrtare të basketbollit.
Për këtë arsye, çdo pikë e shënuar dhe çdo rezultat në dy ndeshjet e këtij dueli mund të ketë rëndësi. Peja synon që para tifozëve të saj të krijojë një epërsi sa më të favorshme për ndeshjen e kthimit në Rumani.
Pas përfundimit të ndeshjeve të kthimit më 30 shtator, do të kompletohet lista prej 48 skuadrash që do të garojnë në fazën e rregullt të FIBA Europe Cup.
Në këtë garë nga Kosova do të marrin pjesë edhe kampionia Trepça dhe nënkampionia Bashkimi.























