Fetoshi: Vendimi i Kushtetueses ushtron presion për zgjedhjen e presidentit
BKT
Lajme

Fetoshi: Vendimi i Kushtetueses ushtron presion për zgjedhjen e presidentit

Sh.G|RTKlive

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi për afatet kushtetuese dhe vakumin institucional, ndërsa sipas tij vendimi ushtron presion mbi partitë politike që të veprojnë më shpejt për zgjedhjen e Presidentit.

I ftuar në emisionin “RTK Prime”, Fetoshi tha se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në mënyrë të qartë rrjedhën e afateve kushtetuese.

“Unë kisha thënë, shyqyr që është Gjykata Kushtetuese. Për shkak se klasa jonë politike u dëshmua që na futi në qorrsokak sa i përket qartësisë kushtetuese, dhe Gjykata përcaktoi në mënyrë mandatore që rrjedha e afateve është e padiskutueshme. Pra, kjo i bie që tashmë, pavarësisht mungesës së një pasoje nga shkelja e afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, ka një qartësi totale sa i përket vakumit institucional pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, që nuk tejkalon më shumë se 60 deri në 90 ditë. Pra, në qoftë se i referohemi dispozitave kushtetuese, rregullohet saktësisht edhe në një situatë kur do të kishim president në mandat”, ka thënë Fetoshi.

Ai e cilësoi aktgjykimin si një zgjidhje për situatën e krijuar pas zgjedhjeve.

“Unë besoj që është një zgjidhje e asaj që e ka karakterizuar Kosovën përgjatë disa muajve pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Dhe mendoj që Gjykata ka bërë një zgjidhje, ndonëse zgjidhja ka qenë aty, për të detyruar forcat politike që të veprojnë. Dhe unë jam i sigurt që kjo është një instrument presioni mbi partitë politike që të lëvizin më shpejt në drejtim të zgjedhjes së Presidentit”, tha Arben Fetoshi.

Në emision u diskutua edhe për zhvillimet e tjera politike dhe për debatin rreth aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, si dhe protestat e zhvilluara në Kosovë lidhur me këtë çështje.


MË SHUME NGA Lajme