Ugzmajli: `Two Lives in Tight Socks`, histori që ia vlen të ndahet me audiencën
K. K. / RTKlive
Regjisori, skenaristi dhe producenti kosovar Besim Ugzmajli ka prezantuar në Tirana International Film Festival dokumentarin “Two Lives in Tight Socks”, një bashkëprodhim Kosovë-Spanjë.
Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Ugzmajli ka treguar se filmi është ndërtuar mbi një histori personale, duke ndjekur muajt e fundit të shtatzënisë së partneres së tij. Pamjet fillimisht ishin realizuar si arkiv familjar, por më pas regjisori pa potencialin e tyre për t’u shndërruar në një dokumentar.
Sipas tij, dokumentari nuk trajton vetëm historinë e çiftit, por edhe dilemat dhe vështirësitë me të cilat përballen çiftet që vendosin të bëhen prindër në Kosovë.
“Kemi vendosur një histori që, sado që duket intime, ia vlen të ndahet me audiencën”, ka thënë Ugzmajli, duke theksuar se përmes filmit synon të hapë diskutim për mbështetjen që shoqëria dhe shteti duhet t’u ofrojnë familjeve.
Regjisori ka folur edhe për mënyrën e tij të punës në dokumentar, ku ngjarjet nuk mund të parashikohen plotësisht. Ai e ka cilësuar të papriturën si një nga veçoritë dhe sfidat kryesore të këtij zhanri.
Ugzmajli ka treguar se vazhdon të xhirojë edhe momente nga jeta e djalit të tij, Gega, i cili tashmë është rritur, por pa një plan të caktuar për t’i shndërruar ato në film. Sipas tij, distanca kohore mund t’u japë këtyre pamjeve një kuptim tjetër në të ardhmen.
Ai u ka bërë thirrje edhe filmbërësve të rinj që të mos presin gjithmonë kushte ideale apo buxhete të mëdha për të realizuar filma.
“Mos me prit kushte ideale për me xhiru film”, ka thënë Ugzmajli, duke theksuar se histori të fuqishme mund të gjenden në familje, shoqëri dhe ambientin ku jetojmë dhe se edhe filmat me buxhet të ulët mund të gjejnë audiencë ndërkombëtare.
Sa i përket projekteve të ardhshme, ai ka bërë të ditur se është duke punuar në skenarë për një film të gjatë, materiale për një film të shkurtër, si dhe në projekte teatrale në Shkup.
Për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, Ugzmajli ka thënë se është rikthyer për herën e gjashtë ose të shtatë dhe se festivali ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke e cilësuar atë si një hapësirë të mirë për prezantimin e veprave kinematografike.























