Abdixhiku: Afrim Bunjaku është simbol i shtetit që mbron qytetarët e vet
BKT
Lajme

Abdixhiku: Afrim Bunjaku është simbol i shtetit që mbron qytetarët e vet

E.Hoti/RTKlive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar policin Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku e ka cilësuar Bunjakun si hero të Republikës së Kosovës, duke thënë se ai dha jetën duke mbrojtur shtetin, qytetarët dhe sovranitetin e vendit.

“Sot bëhen tre vjet nga rënia në detyrë e heroit të Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku, policit që dha jetën duke mbrojtur shtetin, qytetarët dhe sovranitetin e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka kujtuar se Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë, gjatë përballjes me grupin e armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës.

Sipas Abdixhikut, sakrifica e Bunjakut është dëshmi e përkushtimit ndaj shtetit dhe institucioneve të Kosovës.

“Afrimi nuk u tërhoq. Nuk u dorëzua. Ai qëndroi aty ku e kërkonte detyra dhe aty ku mbrohej Republika”, ka shkruar ai.

Kreu i LDK-së ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia për sulmin duhet të shtrihet përtej autorëve të drejtpërdrejtë.

“Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë”, thuhet në postimin e tij.

Abdixhiku e ka përmbyllur mesazhin duke e cilësuar Afrim Bunjakun si simbol të shërbimit me nder ndaj shtetit dhe një nga heronjtë e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme