Konjufca: Kosova e gatshme të kontribuojë për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizim
V. Th. / RTKLive
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se Kosova është ndër vendet që mbështesin Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.
Përmes një postimi në platformën X, Konjufca tha se Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj për paqen dhe sigurinë, duke theksuar se përgjegjësia për këto çështje nuk ndalet në kufijtë shtetërorë.
“Më shumë se një mijë kilometra e ndajnë Kosovën nga Gaza, por përgjegjësia për paqen dhe sigurinë nuk ndalet në kufij”, shkroi Konjufca.
Ai bëri të ditur se gjatë një brifingu të nivelit të lartë të Bordit të Paqes, Kosova ishte mes vendeve që mbështetën Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.
Konjufca e lidhi këtë angazhim me rolin e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë pas luftës, duke thënë se 27 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova nga një vend që kishte nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, sot është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe sigurinë globale.
“Republika e Kosovës është e gatshme të japë kontributin e saj”, përfundoi Konjufca.























