Spanjë-Angli, përballja e kampionëve të botës
F.B/RTKLive
Spanja, kampione e botës në vitin 2026, do të rikthehet në fushë për herë të parë pas triumfit në Botëror, teksa të premten mbrëma do të përballet me Anglinë në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Furia e Kuqe” vjen në këtë përballje me një seri prej 18 ndeshjesh pa humbje, ndërsa trajneri Luis de la Fuente ka rinovuar kontratën dhe synon të vazhdojë sukseset me përfaqësuesen spanjolle.
Në anën tjetër, Anglia kërkon një reagim pas eliminimit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës nga Argjentina.
Trajneri Thomas Tuchel synon një rezultat të rëndësishëm ndaj kampionëve të botës, në një përballje që pritet të jetë ndër më interesantet e këtij edicioni.
Spanja me disa mungesa
Spanja do të jetë pa portierin e Barcelonës, Joan Garcia, dhe mbrojtësin e Tottenhamit, Pedro Porro, të cilët u tërhoqën nga grumbullimi për shkak të lëndimeve.
Ndërkohë, Marcos Llorente ka vendosur t’i japë fund karrierës me kombëtaren pas triumfit në Kupën e Botës.
Trajneri De la Fuente mund t’u japë mundësinë edhe disa lojtarëve të rinj. Ivan Fresneda i Sportingut dhe Roberto Fernandez i Espanyolit pritet të jenë në garë për debutimin me Spanjën, pas paraqitjeve të mira me klubet e tyre në fillim të sezonit.
Marc Pubill mbetet në dyshim për shkak të disa shqetësimeve fizike, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion të trajnerit.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Wembley”, me fillim nga ora 19:45 sipas kohës lokale.























