Sveçla: Afrim Bunjaku mbrojti shtetin deri në momentin e fundit
Sh.G|RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kujtuar sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si sulmin më të madh ndaj Republikës së Kosovës që nga çlirimi.
Në një deklaratë me rastin e trevjetorit të sulmit, Sveçla tha se sulmi ishte i planifikuar dhe, sipas tij, i mbështetur nga struktura shtetërore të Serbisë.
“Tri vite më parë, Republika jonë u ballafaqua me sulmin e përmasave më të mëdha që nga çlirimi. Një sulm i planifikuar dhe i mbështetur nga akterë shtetërorë të Serbisë dhe i realizuar nga grupet e saj paramilitare”, tha ai.
Sveçla tha se, që nga orët e para të 24 shtatorit, në Banjskë u përballën dy qëllime, duke theksuar se Policia e Kosovës kishte për prioritet mbrojtjen e qytetarëve dhe territorit të vendit.
“Që nga orët e para të asaj dite, Banjska u shndërrua në arenë ballafaqimi jo vetëm mes dy palëve, por mes dy qëllimeve. Serbia përmes terroristëve të saj tentoi aneksini e 17% të territorit të Republikës së Kosovës. Ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin prioritet mbrojtjen e qytetarëve, sovranitetit dhe tërësisë me territorial të Republikës sonë. Të gjithë dhe secili veç e veç duke qenë të vetëdijshëm se kjo mund t'i kushtonte edhe me jetë”, theksoi ai.
Ministri e ka veçuar rreshterin Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit në Banjskë, duke e cilësuar atë hero.
“Heroi ynë Afrim Bunjaku luftoi deri në momentin e fundit të jetës së tij duke i shërbyer shtetit. Atë ditë ai ishte prisi i policëve tanë, që atëherë ai është udhërrëfyesi i tyre”, tha ai.
Sipas Sveçlës, rezistenca e Policisë së Kosovës bëri që të zbardhej plani i sulmit.
“Rezistenca e tij dhe Policisë së Kosovës bëri që të zbardhet në tërësi plani i elaboruar detajisht nga Serbia ndaj Republikës sonë. Kjo nuk ishte një rënie e zakonshme dhe pikërisht për këtë është heroike. Afrimi mbrojti kolegët e tij, qytetarët e vendit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
Sveçla vlerësoi edhe pjesëtarët e tjerë të Policisë së Kosovës për mënyrën se si vepruan pas vrasjes së kolegut të tyre.
“Shteti u mbrojt në tërësinë e saj edhe falë punës profesionale, guximit dhe përkushtimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët edhe pas humbjes së kolegut të tyre, qëndruan të palëkundur në krye të detyrës”, tha ai
Ai tha se sulmi në Banjskë tregoi, sipas tij, lidhjen ndërmjet strukturave kriminale në veri dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.
“Sulmi paramilitar në Banjskë tregoi se krimi i organizuar në veri është thellësisht i lidhur me strukturat më të larta shtetërore në Serbi. E pas dështimit të sulmit, ata po mbrohen nga presidenti i vendit atje”, deklaroi ai.
Duke folur për personat e përfshirë në sulm, Sveçla tha se disa prej tyre janë vrarë ose arrestuar, ndërsa të tjerë ndodhen në arrati.
“Atë ditë, tre terroristë u vranë, tre të tjerë janë arrestuar, shumë të tjerë janë në arrati në Serbi. E ne theksojmë se një nga një, secili nga ata do ta vendosim para drejtësisë”, tha ai.
Në deklaratën e tij, ministri përmendi edhe shpalljen e Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut si organizata terroriste.
“Pak muaj para sulmit paramilitar në Banjskë, Mbrojtja Civile e Brigada e Veriut u shpallën nga ne organizata terroriste. S'ka më Mbrojtje Civile në Kosovë e s'ka më Brigadë të Veriut në Kosovë. Tash gjithandej ka mbrojtje të vërtetë shtetërore, rend, sundim të ligjit e siguri për të gjithë qytetarët”, tha ai.
Në fund, Sveçla shprehu mirënjohje për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë që kontribuuan gjatë dhe pas sulmit.
“Policia, si një ndër institucionet kryesore të sigurisë, është profesionale dhe e përgatitur për t'u përballur me çdo situatë, sepse shteti është i fortë, më shumë se kurrë më parë”, theksoi ai.
Hoxha përkujton Afrim Bunjakun: Dha jetën për detyrën
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka përkujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë, në veri të Kosovës, derisa ishte në krye të detyrës.
Në akademinë përkujtimore, Hoxha tha se 24 shtatori i vitit 2023 mbetet një nga datat që, sipas tij, do të mbahen mend nga familja e Bunjakut, Policia e Kosovës dhe shoqëria.
“Ka mëngjese që nuk harrohen. Mëngjese që mbeten në kujtesën e një familjeje, të një institucioni, të një shoqërie dhe të një vendi. Mëngjesi i 24 shtatorit të vitit 2023 është njëri prej tyre”, deklaroi Hoxha.
Ai tha se Bunjaku “ra heroikisht në krye të detyrës”, duke theksuar se rreshteri kishte qenë duke përmbushur përgjegjësitë e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës.
“Ra duke bërë atë që kishte zgjedhur të bënte me përkushtim dhe me dinjitet: të mbrojë jetën e qytetarëve, rendin e sigurisë publike, si dhe të mbrojë integritetin territorial të shtetit tonë”, tha Hoxha.
Sipas tij, ngjarja në Banjskë dëshmoi rëndësinë e profesionalizmit dhe përgjegjësisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës edhe në situatat më të rrezikshme.
“Në ato çaste, Policia e Kosovës nuk u tërhoq nga detyra; ajo qëndroi me profesionalizëm, me disiplinë dhe me përgjegjësinë që buron nga uniforma që mbajmë”, u shpreh drejtori i Policisë.
Hoxha theksoi se uniforma e policit, përtej simbolikës së saj, përfaqëson përgjegjësi dhe besim.
“Uniforma e policit nuk është thjesht një veshje. Ajo është përgjegjësi, ajo është një besim dhe, mbi të gjitha, ajo është betim. Dhe atë mëngjes, Afrim Bunjaku e dëshmoi me jetën e tij kuptimin më të lartë të këtij betimi”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Hoxha vuri theksin edhe te raporti ndërmjet forcës, profesionalizmit dhe besimit të qytetarëve. Ai tha se autoriteti i institucioneve duhet të ndërtohet përmes respektimit të ligjit dhe komunikimit me qytetarët.
“Siguria nuk ndërtohet vetëm me forcë, siguria ndërtohet me besim. Dhe besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë: me sjellje, me profesionalizëm, me komunikim, me përgjegjësi, me respekt për qytetarin, me respekt për ligjin dhe me veprime të paanshme e strikte në përputhje me ligjin”, deklaroi Hoxha.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe partneritetit me institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë.
Duke iu drejtuar familjes së Afrim Bunjakut, Hoxha shprehu mirënjohjen dhe respektin e Policisë së Kosovës, duke thënë se dhimbja e familjes nuk mund të matet me kalimin e viteve.
“Familjes Bunjaku i shprehim edhe një herë mirënjohjen dhe respektin më të thellë të Policisë së Kosovës”, tha ai.
Në fund të fjalimit, drejtori i Policisë tha se kujtimi për Bunjakun përbën edhe përgjegjësi institucionale për të vazhduar përmbushjen e detyrës me profesionalizëm.
“Afrim Bunjaku dha jetën për detyrën; detyra jonë është të jemi gjithmonë të denjë për sakrificën e tij”, deklaroi Hoxha.
Fjalimin e përmbylli me nderim për rreshterin e vrarë në Banjskë dhe për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Lavdi përjetë heroit të Policisë së Kosovës, rreshterit Afrim Bunjaku! Respekt dhe mirënjohje për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës që çdo ditë mban me nder uniformën dhe përgjegjësinë e saj!”, tha Hoxha.























