Dy çmime ndërkombëtare për pullat postare të Kosovës në Pragë
K. K. / RTKlive
Pullat postare të Postës së Kosovës janë vlerësuar me dy vende të treta në garën ndërkombëtare Praga Ars Philatelica 2026, të organizuar në kuadër të panairit Sběratel – Collector Fair Prague 2026.
Në kategorinë “The Most Beautiful Miniature Sheet”, emisioni “Flora shëruese dhe aromatike”, me autore Hyrije Ademi, u rendit në vendin e tretë.
Ndërkaq, emisioni “Qytetet e Kosovës – Janjeva”, me autor Milot Krasniqi, zuri vendin e tretë në kategorinë speciale “Architecture on Stamps”.
Panairi u mbajt më 4 dhe 5 shtator në PVA Expo Prague, ndërsa Posta e Kosovës e cilësoi këtë vlerësim si një tjetër sukses për filatelinë kosovare.
Sipas Postës së Kosovës, këto çmime dëshmojnë se emisionet postare të Kosovës po marrin vlerësim ndërkombëtar, ndërsa pullat postare vazhdojnë të promovojnë kulturën, historinë, trashëgiminë dhe vlerat e Kosovës në botë.
























