Nagavci: Duhet unitet për zgjedhjen e presidentit
Sh.G|RTKlive
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se grupi parlamentar do të japë kontributin e tij në çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale, duke theksuar në të njëjtën kohë nevojën për unitet institucional dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve të vendit.
Nagavci ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë ka adresuar edhe çështjen e afatit për zgjedhjen e presidentit, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
"Si grup parlamentar, natyrisht se do të japim kontributin tonë, komentet tona, gjë që do të jetë në vazhdimësi të qëndrimit tonë të përhershëm në raport me Gjykatën Speciale. Përveç kësaj, është tejet e rëndësishme, gjë që e adresuam, e adresova në fakt edhe në mbledhjen e Kryesisë, që të kemi një unitet, që të vazhdojmë punën si Kuvend dhe si institucione me mandate të plota. Ju e dini që Gjykata Kushtetuese tashmë ka nxjerrë një vendim, sipas të cilit kemi vetëm edhe 11 ditë për të pasur të zgjedhur presidentin e vendit. Përndryshe, vendi do të duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Dhe pikërisht në momentin, në situatën në të cilën jemi si shtet, është tejet e rëndësishme që t'i kemi të gjitha institucionet, përfshirë presidentin, institucione me funksion të plotë, me mandat të plotë dhe të shmangim zgjedhjet e reja, të cilat jo vetëm se janë të panevojshme për shkak se kemi zgjedhje të përsëritura, por në radhë të parë, pas parasysh situatën në të cilën jemi si shtet dhe si komb”, tha ajo.
E pyetur nga gazetarët nëse kryeministri Kurti ka bërë kërkesë te partitë e tjera për takime lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe nëse do të ketë ftesa edhe për partitë e tjera, Nagavci tha se pret që Kurti të bëjë të qartë hapat e ardhshëm.
“Besoj se shumë shpejt Kryeministri Kurti do ta bëjë të qartë për takimet e radhës ose se si duhet të adresohet. Ju e dini se ka qenë në udhëtim zyrtar ku ka paraqitur edhe qëndrimet e tij edhe të shtetit të Kosovës në takime të rëndësishme, por besoj që edhe në këtë periudhë të mbetur, ashtu sikurse deri më tani, pra që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, Kryeministri Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, do të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij dhe tonin që të kemi institucione funksionale, të zgjedhim presidentin dhe të shmangim zgjedhjet e reja” , tha Nagavci.
Në konferencë, Nagavci është pyetur edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë me votë projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për ndryshimin e ligjit për procedurat gjyqësore.
Në përgjigjen e saj, ajo ka theksuar afatin për zgjedhjen e presidentit dhe ka thënë se çështjet me rëndësi për shtetin duhet të trajtohen përmes një qasjeje të përbashkët.
“Sikurse e thashë, nga sot ne kemi vetëm 11 ditë që të zgjedhim presidentin e vendit, përndryshe do të shkojmë në zgjedhje të reja. Në këtë pikë është tejet e rëndësishme që si shtet, çështjet që janë të rëndësishme t'i adresojmë me një strategji të mirëfilltë shtetërore, pa protagonizma. Natyrisht se ne do të japim kontributet tona, por duhet të përmendet që askush, me sa unë jam në dijeni, nga Lëvizja Vetëvendosje pra qoftë nga deputetët, qoftë nga kolegët e bashkëpunëtorët tanë nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë të PDK-së. Pra, kjo duhet të jetë një nismë që na bashkon të gjithëve”, tha Nagavci.























