Familja Gashi përmbush amanetin e babait, i dhuron 33 ari tokë SHKSH-së
BKT
Foto ilustrim
Lajme

Familja Gashi përmbush amanetin e babait, i dhuron 33 ari tokë SHKSH-së

M.Sh/RTKLive

Shoqata Kosovare e të Shurdhërve (SHKSH) ka përmbyllur aktivitetet e Javës Ndërkombëtare të Personave të Shurdhër, e cila iu kushtua gjuhës së shenjave, ndërgjegjësimit, përfshirjes dhe promovimit të të drejtave të komunitetit të shurdhër.

Një nga momentet kryesore të kësaj jave ishte dhurimi i një parcele prej 33 ari tokë për SHKSH-në nga vëllezërit Fatmir dhe Ramiz Gashi, në përmbushje të amanetit të babait të tyre, Rrahman Bajram Gashi.

Sipas SHKSH-së, toka pritet të shërbejë për krijimin e një qendre për trajnime dhe rekreacion, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve në dobi të komunitetit të shurdhër.

Gjatë Javës së Dyerve të Hapura, SHKSH ka mirëpritur qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe ambasadave, profesionistë, media dhe figura publike. Aktivitetet krijuan mundësi për njohje me Gjuhën e Shenjave Kosovare, kulturën dhe jetën e komunitetit, si dhe për diskutimin e sfidave në arsim dhe qasjen në shërbime publike.

Në përmbyllje të aktiviteteve, SHKSH u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i japin përparësi miratimit të koncept-dokumentit për gjuhën e shenjave dhe sigurimit të arsimit cilësor në dhe përmes Gjuhës së Shenjave Kosovare.

Shoqata ka kërkuar gjithashtu masa konkrete për qasje të barabartë në informacion dhe shërbime publike e private, si dhe përfshirjen e komunitetit të shurdhër në proceset vendimmarrëse.

SHKSH ka shprehur mirënjohje për familjen Gashi dhe për të gjithë pjesëmarrësit, partnerët dhe kontribuuesit e aktiviteteve.

“Gjuha e shenjave është gjuhë, komunikimi është e drejtë dhe përfshirja është përgjegjësi e të gjithëve”, thuhet në komunikatën e SHKSH-së.


MË SHUME NGA Lajme