Nimoni dhe Gashi vlerësojnë rolin e ndërmjetësimit në sistemin e drejtësisë
M.Sh/RTKLive
Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, dhe Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, kanë vlerësuar rëndësinë e ndërmjetësimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe në rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë.
Deklaratat e tyre u bënë në kuadër të shënimit të Ditës së Ndërmjetësimit në Kosovë, aktivitet i organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës, me mbështetjen e CSSP – Qendra e Berlinit për Ndërmjetësim Integrues.
Nimoni tha se Kosova ka shënuar progres në fushën e ndërmjetësimit dhe theksoi rëndësinë që ky mekanizëm të jetë mundësi reale, e besueshme dhe e qasshme për qytetarët në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ai bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë planifikon ndryshimin e Ligjit për Ndërmjetësimin, me synim adresimin e nevojave të reja dhe rritjen e efikasitetit të kësaj forme alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Ndërsa Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, tha se ndërmjetësimi është një nga institutet e rëndësishme të inkorporuara në legjislacionin penal të Kosovës dhe se kjo procedurë ka ndikim pozitiv në efikasitetin e drejtësisë.
Gashi deklaroi se do t’i inkurajojë kryeprokurorët dhe prokurorët e shtetit që të përdorin sa më shumë procedurat alternative, përfshirë ndërmjetësimin, në të gjitha rastet kur plotësohen kushtet ligjore.
Në kuadër të aktiviteteve të kësaj jave është theksuar edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe e përafrimit me standardet evropiane në fushën e ndërmjetësimit.























