PDK me 3 kërkesa për Specialen: Projektligji, mbështetja financiare dhe protesta
G.K/RTKlive
(E plotësuar) Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka miratuar unanimisht një Deklaratë Politike prej tri pikash, përmes së cilës kërkon votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje të pakufizuar financiare për mbrojtjen juridike, si dhe përkrahje për organizimet popullore kundër vendimeve në Hagë.
PDK ka bërë të ditur se deklarata është miratuar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Këshilli Drejtues e kundërshton aktgjykimin thellësisht të padrejtë dhe tendencioz ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe kërkon që drejtësia të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht”, thuhet në deklaratë.
PDK ka kundërshtuar edhe çdo interpretim që, sipas saj, cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së apo krijon barazime ndërmjet luftës së popullit të Kosovës për liri dhe politikës shtetërore të represionit, vrasjeve, dëbimit dhe dhunës së regjimit serb.
Në pikën e parë të deklaratës, PDK kërkon nga Kuvendi i Kosovës që ta votojë Projektligjin e dorëzuar nga kjo parti me plotësimet dhe ndryshimet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe të shqyrtohet legjislacioni dhe marrëveshjet relevante që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi.
“Ky shqyrtim duhet të vlerësojë mundësitë kushtetuese dhe ligjore për forcimin e garancive procedurale, transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale”, thuhet në deklaratë.
Në pikën e dytë, PDK kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi që të sigurojnë dhe garantojnë mbështetjen e pakufizuar financiare, profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në procedurat e mëtejme juridike.
“Mbrojtjes duhet t'i krijohen kushtet për ushtrimin e plotë dhe efektiv të të gjitha të drejtave procedurale”, thuhet më tej.
PDK ka kërkuar gjithashtu që institucionet e Kosovës të angazhohen përmes diplomacisë shtetërore dhe komunikimit me partnerët ndërkombëtarë për respektimin e standardeve dhe sigurimin e një procesi të drejtë në Apel.
Në pikën e tretë, Këshilli Drejtues i PDK-së ka shprehur mbështetje për organizimin e protestave popullore kundër vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Prandaj, PDK fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në këto protesta”, thuhet në deklaratë.
PDK ka kërkuar gjithashtu unitet dhe organizim për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën çlirimtare. 
(17:15) Hamza: Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë prioritet shtetëror
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, ka kërkuar që institucionet e Kosovës të veprojnë me urgjencë pas aktgjykimit të 16 shtatorit në Hagë.
Hamza tha se mbrojtja e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe kundërshtimi i narrativave që e shtrembërojnë luftën çlirimtare duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të PDK-së dhe të shtetit.
“Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre u është bërë një padrejtësi e madhe. Aktgjykimi ndaj tyre është i padrejtë, i papranueshëm dhe i ndikuar politikisht. Përgjegjësia jonë e parë është që të mos i lëmë vetëm”, tha Hamza.
Ai theksoi se angazhimi për mbrojtjen e tyre duhet të zhvillohet brenda ligjit dhe institucioneve, duke u siguruar atyre mbrojtjen më të mirë të mundshme në fazat e ardhshme të procesit.
Hamza tha se aktgjykimi ka edhe pasoja politike e historike, të cilave Kosova duhet t’u përgjigjet me fakte, dokumente, veprim institucional dhe diplomaci.
“UÇK-ja dhe Perëndimi ishin aleatë në vitin 1999. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja dhe aleatët tanë perëndimorë ishin pjesë e përpjekjes së përbashkët që i dha fund luftës dhe hapi rrugën për lirinë e Kosovës. Prandaj, çdo deformim i historisë së luftës sonë prek edhe historinë e kësaj aleance”, u shpreh ai.
Duke folur për projektligjin e propozuar nga PDK-ja, Hamza sqaroi se nisma synon rishikimin e fushëveprimit të Dhomave të Specializuara, jo mbylljen e tyre.
Projektligji parasheh që çështjet që nuk lidhen me pretendimet e raportit të Dick Martyt të transferohen në sistemin e drejtësisë në Kosovë, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.
Hamza tha se nisma propozon edhe mundësinë e monitorimit nga organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të standardeve të gjykimit të drejtë, kohëzgjatjes së proceseve, kushteve të paraburgimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Ai sqaroi se propozimi nuk ndërhyn në fazën aktuale të proceseve, të cilat vazhdojnë deri në përfundim të Apelit.
“Tani duhet të veprohet edhe si shtet. Kuvendi duhet ta bëjë pjesën e vet. Qeveria duhet ta bëjë pjesën e vet. Edhe PDK-ja do ta bëjë pjesën e vet”, deklaroi ai.
Në fund, Hamza bëri thirrje për mobilizim në protestën e 1 tetorit në Prishtinë, nga ora 16:00.
“Le ta ngrisim bashkë zërin kundër padrejtësisë më 1 tetor”, tha kryetari i PDK-së.
Në fillim të mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së u mbajt një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së humanistes dhe intelektuales Flora Brovina, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë.























