Betohen 17 kadetë të rinj të FSK-së
E.Hoti/RTKlive
Shtatëmbëdhjetë kadetë të rinj të klasës 2030 kanë bërë betimin solemn, duke nisur zyrtarisht rrugëtimin e tyre drejt formimit si oficerë të ardhshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në mesin e kadetëve të rinj është edhe një pjesëtar nga Republika e Shqipërisë, i cili do të ndjekë së bashku me kadetët e tjerë rrugëtimin e formimit profesional në kuadër të Qendrës për Studime Universitare.
Sipas FSK-së, përmes betimit solemn, kadetët shprehën përkushtimin për t’i shërbyer vendit me nder, përgjegjësi dhe profesionalizëm.
“Ky moment shënon fillimin e një rrugëtimi të ri në Qendrën për Studime Universitare. Nga sot, ata mbajnë me krenari titullin e kadetit dhe marrin përsipër përgjegjësitë, sfidat dhe privilegjet që vijnë me këtë titull”, thuhet në njoftim.























