Drenas, nderohen dëshmorët dhe martirët e 26 shtatorit 1998
V. Th. / RTKLive
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me bashkëpunëtorë dhe familjarë të dëshmorëve e martirëve, ka bërë homazhe në 28-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirizimit të familjes Deliu, më 26 shtator 1998.
Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, në Abri të Epërme, pranë Memorialit të familjes Deliu, u nderuan anëtarët e familjes Deliu të vrarë më 26 shtator 1998. Në varrezat e dëshmorëve u përkujtuan edhe Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdaraj.
Homazhe u bënë edhe në rrugën për Tërdec, ku u nderuan dëshmorët Syl, Idriz dhe Milazim Balaj, ndërsa në Negroc, te varrezat “Pëllumbat e Lirisë”, u përkujtuan Fatos Krasniqi dhe Skënder Shala.
Komuna e Drenasit ka vlerësuar lart sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, duke theksuar se kujtimi për ta mbetet i përhershëm dhe pjesë e historisë së lirisë së Kosovës.
“Sakrifica e tyre mbetet kujtim i përhershëm dhe dëshmi e çmimit të lartë të lirisë”, thuhet në njoftimin e komunës.























