Foda e Vojvoda: E dimë çfarë na pret, jemi gati
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda, në një konferencë për media, kanë folur për duelin me Austrinë.
Austria dhe Kosova do të përballen nesër mbrëma në Vjenë në sfidën e dytë të këtij cikli garues në Ligën e Kombeve.
Foda thotë se është i vetëdijshëm për sfidën që e pret, por sipas tij, Kosova është përgatitur për një ndeshje të tillë.
“E kemi analizuar lojën e tyre. I njoh disa lojtarë që kanë luajtur kur isha unë. E di çfarë na pret. Austria luan në mënyrë agresive, bën presion të lartë, prandaj duhet të bëjmë kundërpresion. Ne jemi të përgatitur, por në fushë do të vendosin detajet”, ka deklaruar Foda.
Trajneri gjerman e ka përsëritur vlerësimin e tij se Austria është favorite e grupit, por ka theksuar se Kosova do të kërkojë të marrë maksimumin nga kjo përballje.
“Kam thënë edhe më herët se Austria është favorite e grupit. Është e mundur që gjithçka të ndodhë nesër. Ne fituam ndaj Irlandës dhe do të bëjmë më të mirën nesër. Të luajmë me agresivitet, si zakonisht. Kemi shumë tifozë kosovarë në stadium, kemi vetëbesim, kemi fituar ndeshjet e tjera si mysafir. Nesër do të bëjmë një lojë të mirë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, edhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda thotë se skuadra dardane është gati për përballjen me Austrinë.
Ai thekson se synimi i Kosovës është kualifikimi në një turne të madh.
“Ekipa është në gjendje të mirë dhe jemi gati për nesër”, tha ai.
“Synimi gjithmonë ka qenë që të kualifikohemi në një turne të madh. Pak nga pak jemi afruar, por shpresoj që tani me Ligën e Kombeve të kemi një shans më shumë në play-off. Austria ka eksperiencë dhe favorit, por edhe ne i kemi shanset e tona”, ka pohuar Vojvoda.
Ndeshja mes Austrisë dhe Kosovës nis në orën 18:00.























