Në Bujanoc u hap ekspozita e kolonisë artistike “Lugina Art 3”
Alban Selimi/RTK
Në Bujanoc është hapur ekspozita e kolonisë artistike “Lugina Art 3”, pas tri ditësh pune krijuese nga 16 artistë nga Lugina e Preshevës, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë qëndrimit në koloni, artistët kanë krijuar vepra me motive të ndryshme, duke sjellë në piktura dhe skulptura frymëzime nga Lugina dhe mjedisi përreth.
Skulptori nga Bujanoci, Avni Behluli, tha se pjesëmarrësit përmes veprave të tyre kanë krijuar jo vetëm art, por edhe kanë kontribuar në ruajtjen e shpirtit krijues të Luginës.
“Lugina ka motive dhe potenciale profesionale. Por artistët dhe kultura kërkojnë trajtim më të veçantë”, tha Behluli.
Piktori nga Prishtina, Milaim Janova, tha se tri ditët e kolonisë janë përmbyllur me ekspozimin e punimeve të realizuara gjatë qëndrimit në Bujanoc.
Ndërkaq, piktori nga Presheva, Shqiprim Fejzullahu, vlerësoi rëndësinë kulturore dhe edukative të kolonisë, duke thënë se ajo kontribuon në sensibilizimin për artin dhe njohjen me vlera e shprehje të ndryshme artistike.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë edhe pjesëmarrësit e konferencës ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën”, e cila u mbajt sot në Bujanoc.
























