Spanja mposht Anglinë në një sfidë dramatike
BKT
Sport

Spanja mposht Anglinë në një sfidë dramatike

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Spanja ka mposhtur Anglinë me rezultat 3-2 në një ndeshje spektakolare të Grupit A3 të Ligës së Kombeve, duke vazhduar serinë e jashtëzakonshme pa humbje brenda 90 minutave.

Ndeshja e zhvilluar në “Wembley” nisi në mënyrë të furishme. Spanja kaloi në epërsi që në minutën e dytë, kur Lamine Yamal përfitoi nga një gabim i Marc Guehit dhe realizoi për 1-0.

“Furia e Kuqe” pati mundësi të dyfishonte epërsinë përmes Ferran Torres, i cili fillimisht shënoi, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Sulmuesi spanjoll pati edhe dy mundësi të tjera të mira, por nuk arriti t’i konkretizonte.

Anglia reagoi dhe në minutën e 20-të gjeti golin e barazimit. Anthony Gordon përfitoi nga një aksion i bukur i nisur pas kombinimit mes Jude Bellinghamit dhe tij, duke realizuar për 1-1.

“Tre Luanët” përmbysën rezultatin para përfundimit të pjesës së parë. Harry Kane shënoi me kokë, ndërsa topi u devijua nga Marc Cucurella dhe përfundoi në rrjetë.

Në pjesën e dytë, Anglia pati mundësi të thellonte epërsinë. VAR-i ndërhyri pas një ndërhyrjeje të palejuar ndaj Bellinghamit dhe arbitri akordoi penallti për vendasit.

Mirëpo, Harry Kane nuk arriti ta shfrytëzonte mundësinë. Sulmuesi anglez rrëshqiti gjatë ekzekutimit, me topin që u përplas në traversë, ndërsa më pas u ndëshkua edhe për prekjen e dyfishtë të topit.

Spanja e shfrytëzoi momentin dhe riktheu baraspeshën. Pas një gabimi të Nico O’Reillyt, Alex Baena, i inkuadruar nga banka rezervë, realizoi për 2-2.

Ndeshja vazhdoi me ritëm të lartë dhe me raste në të dyja portat, por ishin spanjollët ata që shënuan golin vendimtar.

Mikel Oyarzabal realizoi me një goditje të bukur mbi portierin James Trafford, duke i dhënë Spanjës fitoren 3-2.

Spanja vazhdon kështu serinë e saj të shkëlqyer në Ligën e Kombeve, ndërsa Anglia pëson një tjetër rezultat negativ në elitën e kësaj gare.