‘Dosja 23’ - nëntë të arrestuar për krime lufte
Valjete Shala /RTK
Aksion i gjerë i institucioneve të sigurisë është zhvilluar në veri të vendit. Nëntë persona janë arrestuar sot në Zubin Potok nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile, duke e çuar në 13 numrin e të prangosurve në kuadër të operacionit të koduar “Dosja 23”.
Bastisjet e sotme ndërlidhen me masakrimin e “Grupit të Intelektualëve” në vitin 1999, ku gjatë kontrolleve u sekuestruan libreza ushtarake, armë e dhjetëra mijëra dinarë serbë. Paralelisht me prangat në terren, institucionet dhe njohësit e politikës ndërkombëtare po kërkojnë presion urgjent mbi Beogradin zyrtar për hapjen e arkivave sekrete ushtarake.
Pas 27 vjetësh fshehje, drejtësia po troket në dyert e të dyshuarve për krime lufte.
Ajo që për gati tri dekada mbeti në heshtje, sot mori një tjetër rrjedhë në veri të vendit. Në Zubin Potok, të dyshuarit për krime ndaj popullsisë civile ranë njëri pas tjetrit në prangat e policisë. Nëntë të arrestuar brenda ditës, duke e çuar në 13 numrin total të të prangosurve për ngjarjet e përgjakshme të vitit 1999.
Gjatë bastisjeve të koduara “Dosja 23”, organet e rendit sekuestruan telefona mobilë, armë, predha, libreza ushtarake dhe rreth 60 mijë dinarë serbë.
Ky operacion godet drejtpërdrejt rrjetin e dyshuar për masakrimin e “Grupit të Intelektualëve”, duke rikthyer në vëmendje krimet e kryera ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Arrestimet në terren vazhdojnë të shoqërohen me kërkesa të prera në adresë të faktorit ndërkombëtar.
“Ajo çfarë duhet të bëhet është një presion i madh ndërkombëtar për të kërkuar nga Serbia që të hapë arkivat, pasi Serbia ka kryer krime për të cilat është vetë përgjegjëse. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare do të duhej të bënte më shumë presion. Jo vetëm bashkësia ndërkombëtare, por edhe çdo mekanizëm tjetër, që sa më parë të jetë e mundur, Serbia të dëshmojë dhe të nxjerrë para drejtësisë e të tregojë se ku janë trupat e të vrarëve, atë që ka bërë me paramendim dhe të tregojë qëllimin e qartë, spastrimin etnik”, tha Dorajet Imeri, njohës i çështjeve ndërkombëtare.
Kërkesa të prera janë adresuar edhe nga ekzekutivi, duke ripërsëritur rritjen e presionit ndaj Serbisë për hapjen e menjëhershme të arkivave ushtarake serbe dhe dorëzimin e dokumenteve sekrete që mbajnë të fshehur fatin e të zhdukurve të luftës.
E ndërkohë që Qeveria e Kosovës e ka shpallur këtë proces prioritet shtetëror, aksioni i sotëm vjen vetëm një javë pasi tri viktima të këtij grupi u identifikuan përmes ADN-së në laboratorët e Hagës.
Eshtrat e tyre u zbuluan në varrezat masive në veri, ndërkohë që pjesa tjetër e mostrave po i nënshtrohet ekzaminimit forenzik.
Rreth tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova vazhdon të bëjë përpjekje për zbardhjen e të vërtetës edhe për mbi 1 mijë e 500 persona.























