Tahiri: Deklarata e Kuvendit është zotim shtetëror për drejtësi dhe unifikim
BKT
Lajme

Tahiri: Deklarata e Kuvendit është zotim shtetëror për drejtësi dhe unifikim

K. K. / RTKlive

Shefi i grupit parlamentar i Aleancës, Besnik Tahiri, pas përfundimit të seancës së Kuvendit, ka vlerësuar miratimin e deklaratës politike në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Tahiri ka thënë se miratimi i deklaratës është një zotim shtetëror i përfaqësuesve të popullit dhe se ajo është dashur të miratohej shumë më herët. Megjithatë, ai ka shprehur shqetësimin për atë që e ka cilësuar si injorim të situatës reale politike në Kosovë, duke kërkuar më shumë seriozitet dhe reflektim nga përfaqësuesit politikë.

Sipas tij, vendi po përballet me një moment të rëndësishëm dhe, siç ka thënë, kanë mbetur edhe tetë ditë deri te një vendim që do të përcaktojë nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje apo do ta vazhdojë rrugëtimin institucional.

Tahiri ka kritikuar edhe diskursin aktual politik, duke thënë se debati është përqendruar në akuza për patriotizëm, spiunazh dhe përkatësi ideologjike, në vend që të trajtohen problemet reale të vendit.

“Sot Kosova ka nevojë për seriozitet”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka kërkuar që komunikimi politik të jetë në funksion të krijimit të një diskursi publik që ndihmon në tejkalimin e situatës aktuale dhe në marrjen e vendimeve të përgjegjshme për vendin.


MË SHUME NGA Lajme