Ambasada amerikane vlerëson bashkëpunimin me Kosovën kundër krimit kibernetik
V. Th. / RTKLive
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka vlerësuar bashkëpunimin me institucionet kosovare në luftën kundër krimit kibernetik transnacional.
Përmes një postimi, Ambasada amerikane ka falënderuar Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe institucionet e tjera për bashkëpunimin në trajtimin e një rasti të krimit kibernetik.
Reagimi i Ambasadës vjen pasi FBI ka njoftuar se Ardit Kutleshi, shtetas i Kosovës, është shpallur fajtor për krijimin dhe operimin e “Rydox”, një treg online ku, sipas FBI-së, shiteshin mjete për kryerjen e krimeve kibernetike dhe të dhëna sensitive, përfshirë identitete të vjedhura dhe të dhëna për qasje në llogari.
“FBI dhe partnerët e saj të huaj mbyllën tregun dhe tani njeriu që e krijoi dhe e drejtoi do të përballet me drejtësinë”, thuhet në njoftimin e FBI-së, të shpërndarë nga Ambasada amerikane.
FBI ka deklaruar se do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përdorimin e mjeteve ligjore për ndjekjen e personave të dyshuar për krime kibernetike dhe çmontimin e infrastrukturës së tyre.























