Komisionerja Parlamentare për FSK nderohet nga Ambasada e SHBA-së
BKT
Lajme

Komisionerja Parlamentare për FSK nderohet nga Ambasada e SHBA-së

A.B/RTKLive

Komisionerja Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, znj. Remzie Zeqiraj, është nderuar me Certifikatë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në shenjë të përfundimit me sukses të programit “Resilient and Resourceful Defense Capabilities” (Kapacitete Mbrojtëse Rezistente dhe me Burime të Shumanshme), të zhvilluar në kuadër të Programit të Lidershipit të Vizitorëve Ndërkombëtarë (International Visitor Leadership Program – IVLP).

Programi u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga data 1 deri më 22 gusht 2026, me ftesë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe përzgjedhjen e Komisioneres Zeqiraj nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, si pjesë e projektit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për Kosovën.

Gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komisionerja Parlamentare Remzie Zeqiraj, së bashku me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, zhvilloi takime dhe vizita në një sërë institucionesh të rëndësishme amerikane, ndër të cilat: Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Departamenti i Luftës në Pentagon, Universiteti i Kolorado Springs, Universiteti i Kansasit, Universiteti Norwich në Vermont, Kolegji i Shtabit të Përgjithshëm në Fort Leavenworth, Kansas, Garda Kombëtare e Vermontit, Instituti “Robert Doll” si dhe organizata dhe institucione të tjera qeveritare dhe joqeveritare që kontribuojnë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Takimet dhe vizitat u zhvilluan në Washington, D.C., Kolorado, Kansas dhe Vermont, duke ofruar mundësi për dialog profesional, shkëmbim të përvojave dhe njohje me modele të ndryshme të bashkëpunimit institucional në fushën e mbrojtjes, përkujdesjes ndaj veteranëve dhe zhvillimit të burimeve njerëzore.

Pjesëmarrja e Komisioneres Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës në këtë program përbën një mundësi për forcimin e lidhjeve institucionale dhe për shkëmbimin e përvojave që lidhen me mbikëqyrjen, zhvillimin e kapaciteteve dhe mbështetjen e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes.

Projekti “Resilient and Resourceful Defense Capabilities” synon të mbështesë shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, menaxhimin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore, si dhe forcimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes.May be an image of text


MË SHUME NGA Lajme