Tahiri: Të sillet Ligji për Specialen, zgjedhja e presidentit me vullnet politik
BKT
Lajme

Tahiri: Të sillet Ligji për Specialen, zgjedhja e presidentit me vullnet politik

Sh.G|RTKlive

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, në një konferencë për media, ka kërkuar që Ligji për Dhomat e Specializuara të procedohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës.

Tahiri ka bërë thirrje për ndryshimin e këtij ligji, duke kërkuar që çështja të trajtohet dhe të procedohet në institucionin ligjvënës.

“Ligjin e kemi draftuar dhe e kemi procedu në qeveri. I bëj ftesë Qeverisë që sa më shpejt ta sjellë Ligjin në Kuvend, dhe Kuvendi ta argumentojë vullnetin që e shprehi dje”, ka thënë Tahiri.  

Tahiri ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime konkrete dhe të sigurojnë mbështetje të plotë për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë. Sipas tij, për këtë çështje nevojitet angazhim institucional dhe unitet politik.

“Ata burra duhet të jenë sa më shpejt të lirë. Nuk do të ndalemi si grup parlamentar dhe si parti, për të bërë më të mirën për të kontribuuar për këtë process, e kemi obligim. Nga këtu u bëj apel të gjitha partive politike, për maturi, përgjegjësi, unitet dhe kontribut konkret. UÇK-ja është e të gjitha partive politike, është e popullit dhe për këtë duhet të angazhohen të gjithë”, tha Tahiri.

“Miratimi i deklaratës së Kuvendit në mbështetje të UÇK-së, dje në Kuvendin e Kosovës, është vetëm hapi i parë.  I falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që me votën e tyre votuan për këtë deklaratë. Por kjo nuk mjafton. Kjo shpreh vullnet të plotë politik të secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, për ta dhënë mbështetjen si e tillë, është shprehje e vullnetit politik. Prandaj, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta nisë pa vonesë procedurën për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.

Tahiri ka theksuar se, pas miratimit të deklaratës së Kuvendit, sipas tij, duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm institucionalë. Ai ka kërkuar që procesi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të nisë pa vonesë, ndërsa ka bërë thirrje për mbështetje institucionale ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

​“Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxoj ta zvarris këtë process. Institucionet e Republikës duhet të garantojnë mbështetje të plotë institucionale për çlirimtarët e UÇK-së në Hagë. Është koha për veprime konkrete institucionale. Ne, si përfaqësues të popullit, po e përcjellim kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qytetarët e Republikës së Kosovës me plot të drejtë, secilën ditë, secilën mbramjë, në secilin qytet në Evropë, Amerikë, Kanadë e kudo tjetër, duke protestuar, duke shprehur revoltën ndaj vendimit të 16 shattorit, padrejtësinë historike ndaj kombit shqiptar dhe shtetit të Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, për çështjen e presidentit tha se duhet vullnet politik.

 


MË SHUME NGA Lajme