GKK shpall laureatët e edicionit të dytë të programit “Shtëpi”
Sh.G|RTKlive
Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) dhe Cité internationale des arts kanë shpallur laureatët e edicionit të dytë të programit të përbashkët të rezidencave artistike “Shtëpi”.
Pas vlerësimit të aplikimeve nga një juri profesionistësh të artit bashkëkohor, Arrita Katona, Luiza Thaqi dhe Ermir Zhinipotoku janë përzgjedhur si laureatët e vitit 2026.
Programi “Shtëpi” është lansuar në shtator të vitit 2025 dhe u dedikohet artistëve të të gjitha disiplinave që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Programi synon të nxisë shkëmbimet ndërkombëtare, të zgjerojë rrjetet profesionale dhe artistike, si dhe të mbështesë zhvillimin e praktikave artistike përmes kërkimit, prodhimit dhe prezantimit të veprave.
Laureatët do të përfitojnë nga një rezidencë tre-mujore në Paris, në kuadër të Cité internationale des arts, si dhe nga mundësia për të prezantuar punën e tyre në një ekspozitë kolektive në Galerinë Kombëtare të Kosovës – QAFA.
Ekspozita e përbashkët është planifikuar të prezantohet në dhjetor 2026 dhe do të kurohet nga Hana Halilaj.
Sipas GKK-së, programi “Shtëpi” synon të krijojë mundësi të reja për artistët nga Kosova, duke u ofruar atyre hapësirë për zhvillim profesional, kërkim artistik dhe prezantim të punës në një kontekst ndërkombëtar.























