Pacolli: Kosova po planifikon vizionin hapësinor përtej vitit 2050
BKT
Lajme

Pacolli: Kosova po planifikon vizionin hapësinor përtej vitit 2050

G.K/RTKlive

Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se më 15 tetor do të organizohet Simpoziumi Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050”.

“Kosova po planifikon Vizionin Hapësinor përtej vitit 2050”, ka shkruar Pacolli.

Sipas saj, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e GIZ-it, do të organizojë simpoziumin në Prishtinë, ku do të mblidhen arkitektë, urbanistë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Holandën, Belgjikën, Finlandën, Zvicrën, Gjermaninë dhe vende të tjera.

“Ky është një simpozium i rëndësishëm për të diskutuar se si duam të duket dhe të zhvillohet Kosova në dekadat e ardhshme”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka bërë të ditur se do të diskutohet për planifikimin e qyteteve dhe fshatrave, mbrojtjen e pasurive dhe resurseve natyrore, si dhe krijimin e hapësirave më funksionale, më të gjelbra dhe më të shfrytëzueshme për qytetarët.

“Në panelet ndërkombëtare dhe lokale do të trajtojmë planifikimin hapësinor, zhvillimin urban dhe rural, tranzicionin e gjelbër, qytetet e mençura dhe reziliente, si dhe lagjet dhe komunitetet e qëndrueshme”, ka shkruar Pacolli.

Sipas saj, simpoziumi zhvillohet në një moment kur po rishikohen në tërësi kornizat ligjore për Planifikimin Hapësinor, Ndërtimin dhe Banimin, si dhe për Parqet Kombëtare.

“Njëkohësisht, po hartohet Plani i ri Hapësinor i Kosovës dhe Strategjia Kombëtare e Banimit”, ka shkruar Pacolli. 


MË SHUME NGA Lajme