Foda për Izraelin: Përfaqësuese e vështirë, por Kosova luan si ndaj Irlandës
UK/RTKLive.com
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, e ka vlerësuar lart Izraelin, pavarësisht dy humbjeve që kjo përfaqësuese i ka pësuar në dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve.
Foda dhe qendërmbrojtësi Ilir Krasniqi kanë mbajtur të mërkurën konferencë të përbashkët për media, në prag të ndeshjes së Kosovës ndaj Izraelit.
Kosova do të përballet të enjten me Izraelin në Hungari, në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës B të Ligës së Kombeve.
Izraeli i ka humbur dy ndeshjet e para, me rezultat 3:1 ndaj Austrisë dhe 3:0 ndaj Irlandës. Kosova, ndërkohë, e ka mposhtur Irlandën 1:0 në “Fadil Vokrri”, ndërsa ka pësuar humbje 3:1 ndaj Austrisë.
“Izraeli është një përfaqësuese e vështirë. Pavarësisht rezultateve, ka treguar se është përfaqësuese e mirë. Ka futbollistë teknikë, të shpejtë dhe me lojtarë të fortë individualisht. Presim ndeshje të fortë, por ne do të mundohemi të jemi sa më agresivë në këtë përballje”, ka thënë Foda.
Foda ka bërë të ditur se Kosova do të ketë ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen ndaj Austrisë, ndërsa ka theksuar se përballja me Izraelin nuk duhet të cilësohet si vendimtare.
“Nuk mund të them se kjo ndeshje është vendimtare, por është shumë e rëndësishme për ne. E rëndësishme është të shohim si do t’i qasemi ndeshjes. Është një nga ndeshjet ku do të bëjmë ndryshime nga ndeshja paraprake”, ka thënë ai.
Tekniku ka bërë të ditur se synimi është që Kosova ta përsërisë paraqitjen që e ka bërë ndaj Irlandës.
“Do të provojmë të luajmë njëjtë si ndaj Irlandës. As ndaj Austrisë nuk jemi paraqitur shumë keq. Por e rëndësishme është të shfaqim lojën që kemi treguar ndaj Irlandës”, ka deklaruar Foda.
Në konferencë është diskutuar edhe për gjendjen e portierit Arijanet Muriq, i cili është zëvendësuar në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Austrisë për shkak të një lëndimi.
“Ai ka pësuar një lëndim në ndeshjen ndaj Austrisë. Ka munguar, por do të shohim sonte nëse do të jetë gati për nesër apo jo”, ka thënë Foda.
Ndërkohë, Krasniqi ka thënë se futbollistët e Kosovës e kanë analizuar Izraelin dhe janë të vetëdijshëm se i pret një ndeshje e vështirë.
“Fillimisht, nesër është ndeshje e vështirë, pasi Izraeli ka ekip të fortë dhe luan mirë teknikisht. I kemi parë pikat e forta dhe shpresojmë të qasemi mirë në fushë. Kemi nevojë gjithmonë për përmirësime dhe mësojmë nga loja e kaluar. Nga Austria kemi mësuar të jemi kompakt dhe nesër në fushë të paraqitemi si është më së miri”, ka thënë Krasniqi.
Ndeshja Izrael – Kosovë do të zhvillohet të enjten në Hungari, duke filluar nga ora 20:45.























