Mustafa: PDK-ja nuk e kushtëzon presidentin me projektligjin për Specialen
K. K. / RTKlive
(E përditësuar 22:00) Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka mohuar se PDK-ja po e kushtëzon çështjen e zgjedhjes së presidentit me miratimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara.
Në “RTK Prime”, Mustafa tha se për PDK-në çështja e Hagës dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara janë aktualisht prioritete.
“Ne kemi thënë qartë që për Partinë Demokratike të Kosovës, tema më e rëndësishme sot në Kosovë, prioritet mbi prioritete, është çështja e Hagës, është plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Mustafa.
“Ne nuk e kemi kushtëzuar askënd. Është e pandershme të futen në një kuti çështja e projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështja e presidentit”, tha ai.
Mustafa bëri me dije se PDK-ja ka ndryshuar qëndrimin për pjesëmarrjen në diskutimet për zgjedhjen e presidentit.
“E kemi ndryshuar qëndrimin, jemi të gatshëm të kthehemi në tavolinë për të diskutuar për postin e presidentit”, tha Mustafa.
Sipas tij, PDK-ja nuk ka thënë se do ta votojë projektligjin në këmbim të votimit për presidentin.
Ai sqaroi edhe deklaratën e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për 22 votat e deputetëve të kësaj partie.
“Ka thënë: ‘Në rast se gjejmë një marrëveshje, atëherë unë flas për 22 deputetë’”, tha Mustafa.
Mustafa përsëriti se miratimi i projektligjit duhet të trajtohet si çështje shtetërore dhe jo partiake, ndërsa pas kësaj, sipas tij, mund të hapet rruga për diskutime politike rreth presidentit.
(21:02) Mustafa: Nisma e PDK-së synon ripërcaktimin e mandatit të Gjykatës Speciale
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se iniciativa e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara synon ripërcaktimin e mandatit të Gjykatës Speciale.
Në emisionin “RTK Prime”, Mustafa ka deklaruar se pas aktgjykimit të 16 shtatorit në Hagë, sipas tij, është krijuar një situatë e re në Kosovë.
Ai tha se PDK-ja e sheh si obligim mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtës për liri e shtet.
“Ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës, po përtej saj, si qytetarë të këtij vendi, e kemi obligim moral, kemi obligim kombëtar, e kemi obligim shtetëror të mos rrimë duarkryq, por të mbrojmë luftën tonë çlirimtare, ta mbrojmë të drejtën tonë për liri dhe për shtet”, tha Mustafa.
Duke folur për projektligjin e propozuar nga PDK-ja, ai tha se një nga pikat kryesore është kufizimi i mandatit të Dhomave të Specializuara.
“Pika e parë ka të bëjë me ripërcaktimin e mandatit apo të fushëveprimit të Gjykatës Speciale”, tha ai.
Sipas Mustafës, PDK-ja kërkon që Specialja të fokusohet në çështjet që lidhen me pretendimet e raportit të Dick Marty-t, ndërsa rastet e tjera që lidhen me krime të dyshuara gjatë luftës në Kosovë t’u kthehen institucioneve vendore të drejtësisë.
“Ne nuk kërkojmë heshtjen e asnjë dyshimi. Ne nuk kërkojmë mbylljen e asnjë rasti”, tha Mustafa.
“Pasi që e kemi dorëzuar në Kuvend, projektligji ka kaluar për opinion në Qeveri, por vazhdojmë të presim dhe nuk kemi ende një përgjigje”, shtoi ai.























