Dita Ndërkombëtare e Jo-Dhunës
Sh.Ç/RTKlive
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Jo-Dhunës, datë që përkon me ditëlindjen e Mahatma Gandit, një prej figurave kryesore të lëvizjes për pavarësinë e Indisë dhe simbol i filozofisë së rezistencës pa dhunë.
Kjo ditë u përcaktua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007, me synim promovimin e mesazhit të jo-dhunës përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit publik.
OKB-ja e lidh këtë ditë me promovimin e një kulture paqeje, tolerance, mirëkuptimi dhe respekti, duke theksuar rëndësinë universale të parimit të jo-dhunës.
Gandi, i cili udhëhoqi një pjesë të rëndësishme të luftës së Indisë për pavarësi, u bë frymëzim për shumë lëvizje paqësore dhe për të drejtat civile në vende të ndryshme të botës.
Veprimi jo i dhunshëm nuk nënkupton shmangien e konfliktit, por përdorimin e mjeteve pa dhunë për të kundërshtuar padrejtësitë dhe për të nxitur ndryshime shoqërore e politike.
Format e veprimit jo të dhunshëm përfshijnë protestat dhe marshimet, mosbashkëpunimin dhe ndërhyrjet pa dhunë, si bllokadat apo format e tjera të rezistencës civile.
Dita Ndërkombëtare e Jo-Dhunës shërben si thirrje për promovimin e dialogut, tolerancës dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve.























