Mbi 1.7 milionë euro investim për zjarrfikësit në Shtime, Lipjan dhe Drenas
BKT
Lajme

Mbi 1.7 milionë euro investim për zjarrfikësit në Shtime, Lipjan dhe Drenas

E.Hoti/RTKlive

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka dorëzuar sot tri automjete të reja dhe moderne të zjarrfikjes për Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Shtime, Lipjan dhe Drenas.

Investimi për këto automjete kap vlerën e përgjithshme prej 1,780,056 eurosh, ndërsa synon forcimin e kapaciteteve operacionale të njësive emergjente dhe rritjen e efikasitetit të reagimit në situata emergjente.

Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë zëvendësministri i MPB-së, Enver Dugolli, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të AME-së, Shefki Abdullahu, zyrtarë të Agjencisë, përfaqësues komunalë, si dhe komandantë e pjesëtarë të ekipeve të zjarrfikësve.

Gjatë prezantimit të raportit zyrtar, drejtori i AME-së, Shefki Abdullahu, theksoi rëndësinë e pajisjes së njësive me mjete moderne, duke vlerësuar se automjetet e reja do të rrisin gatishmërinë reaguese dhe sigurinë operative të zjarrfikësve në terren.

“Ndërsa zv.Ministri z.Dugolli theksoi: Ndonëse ky moment mund te duket ceremonial, në thelb kjo është pjesë e punës dhe angazhimit tonë të vazhdueshëm që nuk do të ndalet. Fokusi i Qeverisë dhe MPB-së mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i kushteve të punës për zjarrfikësit përmes investimeve në automjete e pajisje, në mënyrë që ata të kryejnë me sukses misionin e tyre”, thuhet në njoftim.

Sipas AME-së, automjetet e reja pritet të kontribuojnë në rritjen e sigurisë së përgjithshme, mbrojtjen e infrastrukturës dhe forcimin e gatishmërisë së njësive emergjente në rajonet përkatëse.


MË SHUME NGA Lajme