Ulutash takohet me Mojsilloviqin në Beograd para përfundimit të mandatit në KFOR
G.K/RTKlive
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar në Beograd me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneral Milan Mojsilloviq, në takimin e fundit para përfundimit të mandatit të tij të dytë në krye të KFOR-it.
KFOR-i ka bërë të ditur se takimi ishte pjesë e komunikimeve dhe ndërveprimeve të rregullta ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.
“Ky takim, i fundit para përfundimit të mandatit të dytë të gjeneralmajor Ulutash në krye të KFOR-it, në mes të tetorit, ishte pjesë e komunikimeve dhe ndërveprimeve të rregullta ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas KFOR-it, këto komunikime janë të rëndësishme për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe në dobi të të gjitha komuniteteve.
“Gjeneralmajor Ulutash dhe gjeneral Mojsilloviq shkëmbyen pikëpamje për një sërë çështjesh me interes dhe shqetësim të përbashkët”, thuhet në njoftim.
KFOR-i ka bërë të ditur se Ulutash e ka falënderuar Mojsilloviqin për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij.























