Hamza pas takimit me Kurtin: Ka mundësi për marrëveshje nëse procedohet Ligji
BKT
Lajme

Hamza pas takimit me Kurtin: Ka mundësi për marrëveshje nëse procedohet Ligji

Edona Porovorica|RTK

(E plotësuar) Takimi mes kryeministrit , Albin Kurti, dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ka përfunduar pas rreth 2 orësh e gjysmë.

Kreu i PDK-së Bedri Hamza është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurtin. Ai ka thënë se partia e tij është e gatshme që të bëjë zgjidhje për presidentin, në të njëjtën ditë pasi të ndryshohet ligji.

“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës të bisedojë e të gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin. Bisedat i kemi përfunduar. Janë edhe disa ditë ku kemi mundësi të arrijmë marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja. por kjo është kërkesa jonë dhe nuk ka të bëjë me nevojën për PDK-në. Ligji kalon nevojat përtej PDK-së dhe ka të bëjë me një çështje tjetër”, ka thënë ai.

Takimet ndërmjet liderëve politikë po zhvillohen në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit përfundon më 6 tetor.

Kurti takon Hamzën në Qeveri

Kryeministri Albin Kurti ka takuar të shtunën ndaras liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri hamën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Fillimisht në Kuvendin e Kosovës është takuar me Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa menjëherë pas takimit në Qeveri ka hyrë Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës. 

Para takimit, Hamza ka thënë se qëndrimi i PDK-së për këtë çështje mbetet i pandryshuar. Sipas tij, fillimisht duhet të përfundojë procesi i miratimit të ligjit në Kuvend, në të gjitha fazat dhe komisionet përkatëse.

“Fillimisht duhet të aprovohet ligji dhe po e ritheksoj, të aprovohet në të gjitha nivelet, në dy leximet dhe në të gjitha komisionet”, tha Hamza.

Ai ka deklaruar se pas përfundimit të këtij procesi, PDK-ja është e gatshme të diskutojë për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Ne jemi të hapur që të bisedojmë për çështjen e presidentit. Ne besojmë që ligji duhet të aprovohet, vendi duhet të ketë president, e më pas të kthehemi në obligimet tona si deputetë”, u shpreh kreu i PDK-së.


MË SHUME NGA Lajme