Bashkimi e mposht sërish Trepçën, këtë herë në Superligë
BKT
Sport

Bashkimi e mposht sërish Trepçën, këtë herë në Superligë

UK/RTKLive.com

Bashkimi e ka mposhtur sërish Trepçën, vetëm pak ditë pasi e kishte mposhtur edhe në ndeshjen për Superkupën e Kosovës.

Skuadra nga Prizreni ka triumfuar me rezultat 84:76 ndaj kampiones së Kosovës, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tretë të Superligës së Kosovës në basketboll, e zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”.

Bashkimi e ka nisur ndeshjen shumë më mirë dhe ka krijuar epërsi të madhe që në çerekun e parë, të cilin e ka fituar me rezultat 27:11.

Trepça ka reaguar në tri çerekët e tjerë dhe i ka fituar të gjithë, por kjo nuk ka mjaftuar për ta përmbysur rezultatin dhe për ta rrezikuar fitoren e vendasve.

Më i dalluari te Bashkimi ka qenë Lejson Zeqiri, i cili ka realizuar dhjetë pikë, ka regjistruar tetë kërcime dhe tri asistime.

Kontribut të rëndësishëm në fitoren e Bashkimit ka dhënë edhe Jajuan Johnson me 13 pikë dhe gjashtë kërcime.

Te Trepça, Kenny Hasbrouck ka qenë më efikasi me 17 pikë, katër kërcime dhe tri asistime.

Kjo ka qenë fitorja e dytë e Bashkimit ndaj Trepçës brenda pak ditësh.