Walta: Mund të kisha bërë edhe më mirë ndaj Shqipërisë
BKT
Sport

Walta: Mund të kisha bërë edhe më mirë ndaj Shqipërisë

UK/RTKLive.com

Leo Walta ka qenë heroi i Finlandës në fitoren 2:1 ndaj Shqipërisë, por mesfushori finlandez ka thënë se paraqitja e tij nuk ka qenë më e mira me fanellën e përfaqësueses.

Walta ka shënuar të dy golat e Finlandës në ndeshjen e zhvilluar më 3 tetor në stadiumin olimpik të Helsinkit. Të dy golat i ka realizuar nga goditjet e dënimit.

Finlanda ka kaluar në disavantazh në pjesën e parë, por Walta ka barazuar me një goditje të ulët nga gjuajtja e lirë. Golin e dytë e ka shënuar rreth njëzet minuta para fundit, duke i siguruar Finlandës tri pikë të rëndësishme.

Me këtë fitore, Finlanda është ngjitur në krye të Grupit C1 me shtatë pikë pas tri ndeshjeve, një pikë më shumë se Shqipëria.

Megjithatë, Walta nuk e ka cilësuar këtë si paraqitjen e tij më të mirë me Finlandën.

“Jo”, ka thënë Walta kur është pyetur nëse kjo ka qenë ndeshja e tij më e mirë. “Golët kanë qenë të mirë, sigurisht, por sa i përket lojës mund të kisha bërë shumë më mirë”.

Walta ka thënë se skuadra ka reaguar mirë pas barazimit pa gola ndaj Bjellorusisë në ndeshjen paraprake.

“Kur i kemi parë pamjet nga ndeshja me Bjellorusinë, ka qenë e qartë se ne lojtarët mund të kishim bërë më mirë dhe t’i zbatonim më mirë taktikat e trajnerit”, ka deklaruar ai.

Mesfushori ka theksuar se ndihet më mirë duke luajtur në krahun e majtë, pozitë në të cilën ka luajtur edhe ndaj Shqipërisë.

“Për mua krahu i majtë funksionon më mirë. Kam luajtur më shumë në atë pozitë me përfaqësuesen. Aty mund të futem edhe në qendër, të jap krosime dhe të përfundoj aksionet”, ka thënë Walta.

Walta është bërë lojtari i parë finlandez që nga Alexei Eremenko në vitin 2004 që ka shënuar dy gola direkt nga goditjet e dënimit në një ndeshje.

Finlanda tani do të përballet me Bjellorusinë në ndeshjen e radhës, ndërsa trajneri Jacob Friis nuk do ta ketë në dispozicion Kaan Kairinen, i cili është i suspenduar për shkak të dy kartonëve të verdhë.