Policia: 6 zyrtarë të lënduar dhe 11 protestues kërkuan ndihmë mjekësore
BKT
Foto: Alban Selimi/RTK
Lajme

Policia: 6 zyrtarë të lënduar dhe 11 protestues kërkuan ndihmë mjekësore

G.K/RTKlive

(E përditësuar) Gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, ndërsa 11 qytetarë/protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë zhvillimeve pranë institucioneve shtetërore. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tre protestues janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa për vënien e situatës nën kontroll ka përdorur gaz lotsjellës dhe topin e ujit.

Sipas Policisë, gjatë orëve të mbrëmjes pranë institucioneve shtetërore, disa protestues në vazhdimësi kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta ndaj objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

“Policia e Kosovës me qëllim të vënies së situatës nën kontroll dhe parandalimit të eskalimit të mëtejme të situatës, është detyruar disa herë të veprojë ndaj protestuesve që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur pajisjet e nevojshme policore, gazin lotsjellës përfshirë topin e ujit për shpërndarje të turmës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka bërë të ditur se për shkaqe sigurie të qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, në intervale të ndryshme kohore është ndaluar qarkullimi i automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së kryeqytetit, në zonat ku po zhvillohej protesta.

Sipas Policisë, si pasojë e protestës dhe zhvillimeve në terren, mosrespektimit të thirrjeve policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, tre persona/protestues janë shoqëruar në stacion policor.

“Ndaj të cilëve të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se, bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj objekteve shtetërore dhe në disa raste ndaj zyrtarëve policorë, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme.

“Gjashtë (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor. Po ashtu, sipas informacioneve të deritanishme njëmbëdhjetë (11) qytetarë/protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore, të cilëve po ashtu iu është ofruar ndihma mjekësore”, thuhet në komunikatë.

Policia ka theksuar se nuk ka vepruar ndaj protestuesve që kanë protestuar në mënyrë të qetë dhe demokratike, por vetëm në rastet kur, sipas saj, protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë.

“Policia e Kosovës për asnjë ditë dhe në asnjë rast nuk ka vepruar ndaj protestuesve të cilët kanë protestuar në mënyrë të qetë e demokratike, por ka vepruar vetëm në rastet kur protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se protesta në orët e vona ishte duke vazhduar dhe se në atë kohë ishte e qetë, ndërsa zyrtarët policorë do të vazhdonin të ishin të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

“Siguria e qytetarëve, siguria e pronës publike e private si dhe mbarëvajtja e protestës së qetë vazhdojnë të jenë interes i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia: Përdorëm gaz lotsjellës për të vënë situatën nën kontroll

Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta pranë Qeverisë dhe Kuvendit ka vazhduar edhe gjatë mbrëmjes, ndërsa pas hedhjes së mjeteve piroteknike, fishekzjarreve dhe gjësendeve të ndryshme, zyrtarët policorë kanë përdorur gaz lotsjellës për të vënë situatën nën kontroll.

Sipas Policisë, një grup protestuesish, të pakënaqur me mosvotimin e ligjit për Specialen, kanë hedhur vazhdimisht gjësende të ndryshme, mjete piroteknike dhe fishekzjarre në drejtim të objekteve shtetërore.

“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore, të mos dëmtohet prona publike, të mos pengohet lëvizja e lirë dhe të mos shkelen ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se, për shkak të hedhjes së vazhdueshme të gjësendeve, mjeteve piroteknike e fishekzjarreve dhe bllokimit të lëvizjes, është detyruar të ndërmarrë masat e nevojshme.

“Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme, Policia e Kosovës ka përdorur mjetet e ligjshme policore, gazin lotsjellës, për të mundësuar daljen e personaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll.”

Sipas Policisë, hedhja e gjësendeve, mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve, si dhe djegia e disa kontejnerëve të mbeturinave dhe zjarreve në rrugë, kanë shkaktuar dëme materiale.

“Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për persona me lëndime të rënda”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se e njeh të drejtën për protestë paqësore dhe demokratike, ndërsa u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të qëndrojnë paqësorë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet.

“Përderisa protesta vazhdon, Policia e Kosovës do të jetë e pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore, si dhe mbarëvajtja e protestës, mbeten prioritetet tona.”


MË SHUME NGA Lajme