Kurti: Procesi i Berlinit të rikonfigurohet, Kosova kërkon `prova, jo premtime`
BKT
Lajme

Kurti: Procesi i Berlinit të rikonfigurohet, Kosova kërkon `prova, jo premtime`

V.Th / RTKLive

(Plotësuar, 10:40) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pas 12 vitesh nga fillimi i Procesit të Berlinit është e nevojshme të mendohet për rikonfigurimin e tij. Kurti i bëri këto deklarata në Forumin për Shoqëri Civile (CSF 2026), pjesë e iniciativës rajonale të Procesit të Berlinit, që këtë vit mbahet në Prishtinë nën moton “Prova, jo premtime”.

Në fjalën e tij, Kurti tha se Kosova ka zgjedhur të udhëheqë përmes shembullit, duke e lidhur këtë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

“Kur më shumë e gjithmonë vende po shkojnë drejt autokracisë, Kosova është bërë një prej demokracive më të forta në Ballkanin Perëndimor e përtej, duke fuqizuar sundimin e ligjit, duke luftuar korrupsionin dhe duke mbrojtur liritë fundamentale”, tha shefi i ekzekutivit kosovar.

Kurti foli edhe për angazhimin e Kosovës në Tregun e Përbashkët Rajonal dhe për marrëveshjet në kuadër të CEFTA-s.

“Ne kemi vepruar të parët: qytetarët e Bosnjës mund të vijnë me karta të identitetit, kurse Bosnja duhet ende ta ratifikojë marrëveshjen tonë”, shtoi ai.

Kurti tha se rajoni ende nuk e ka përfunduar ciklin e plotë të lëvizshmërisë, përfshirë njohjen e diplomave, lejet e punës dhe të drejtat sociale.

Kreu i qeverisë kërkoi që të drejtat e komuniteteve pakicë të jenë pjesë më e rëndësishme e Procesit të Berlinit.

“Prandaj, minoritetet duhet ta kenë vendin e vet në Procesin e Berlinit me standarde të përbashkëta për gjithë rajonin: prej vendeve të garantuara në institucione, tek përdorimi i gjuhës së tyre amtare në institucione, deri te ruajtja e kulturës dhe traditave. Kosova është e gatshme me kontribuar për këtë punë”, nënvizoi Kurti.

Në fjalën e tij, kryeministri iu referua edhe rolit të shoqërisë civile dhe gazetarëve në luftën kundër keqinformimit.

“Në çështje si kjo, puna juaj është e nevojshme. Kur ka dyshime ju sillni fakte, përmes gazetarisë dhe mendimit kritik, dhe kur e bëni këtë, ju mbroni vlerat të cilat mundohen t’i dobëzojnë, mbroni dinjitetin njerëzor, lirinë, barazinë, solidaritetin”, tha Kurti.

Sa i përket rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Kurti tha se në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi për anëtarësim dhe përmendi, siç tha ai, rritjen ekonomike, uljen e papunësisë dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së.

“Po megjithëkëtë, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit në BE dhe prandaj slogani i këtij forumi është ‘Prova, jo premtime’”, tha Kurti.

Ai në fund tha se pret që rekomandimet e Forumit për Shoqëri Civile t’u dërgohen liderëve në Podgoricë dhe se Kosova do t’i marrë ato seriozisht.

Nis forumi i Procesit të Berlinit `Prova, jo premtime`

Në Prishtinë po mbahet Forumi i Shoqërisë Civile dhe Think Tank-ut 2026, në kuadër të Procesit të Berlinit, me temën “Prova, jo premtime”.

Në hapje të forumit u theksua nevoja që zotimet për integrimin evropian të shoqërohen me veprime konkrete.

“Prandaj, pyetja sot nuk është nëse ekzistojnë premtimet janë aty ato mirëpo pyetja është ku janë veprimet”, tha në fillim të prezantimit të forumit, Albana Zeneli, bashkëpunëtore e lartë në Këshillin Atlantik.

Duke folur për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ajo theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të shihet si pjesë e zgjidhjes evropiane.

“Ballkani Perëndimor nuk mundet me u parë më si një problem, sepse duhet me u parë si një pjesë e zgjidhjes evropiane”, tha ajo.

Në forum u përmend edhe rëndësia e Procesit të Berlinit për bashkëpunimin rajonal, ndërlidhjen dhe reformat.

“Qëllimi nuk ka qenë kurrë me e zëvendësuar zgjerimin, por për me e bërë integrimin më të prekshëm për njerëzit që jetojnë në rajon”, theksoi Zeneli.

Tutje u nënvizua se përgjegjësia për procesin e integrimit është e ndërsjellë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Qeveritë duhet me i ofruar reformat që janë zotuar se do t'i bëjnë, dhe kur t'i kenë mbaruar, duhet edhe Bashkimi Evropian që t'u vijë afër, që t'i ndihmojë procesit të zgjerimit”, theksoi Zeneli në fillim të këtij forumi.


MË SHUME NGA Lajme