Sinner mbyll sezonin, italiani rikthehet në Australian Open 2027
F.B/RTKLive
Jannik Sinner i ka dhënë fund sezonit 2026 për shkak të problemeve me gjurin e djathtë.
Tenisti italian, aktualisht numri një në renditjen botërore, ka vendosur së bashku me ekipin mjekësor që të vazhdojë terapinë konservative për gjurin, i cili e ka shqetësuar prej më shumë se tre muajsh.
Sinner nuk do të paraqitet në turnetë e mbetur të vitit 2026, ndërsa objektivi i tij është të rikthehet në fushë në fillim të vitit të ardhshëm, në Australian Open 2027.
Sezonin e tij, Sinner e mbylli me triumfin në Wimbledon më 12 korrik, një tjetër sukses madhor në karrierën e italianit.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Sinner konfirmoi vendimin për të mos garuar më gjatë këtë vit.
“Unë, së bashku me doktorët, kemi vendosur se gjuri im ka nevojë për terapi dhe kjo do të thotë se sezoni 2026 për mua ka përfunduar zyrtarisht. Mbyllja e sezoneve të fundit, veçanërisht në Torino, më ka dhuruar emocione të mëdha”, shkroi Sinner.
“Ky vit do të jetë ndryshe, pasi duhet të mendoj për karrierën time në një perspektivë më afatgjatë. Do të bëj gjithçka që është e mundur për t’u rikthyer në 100 për qind. Ju falënderoj për mbështetjen dhe shpresoj të shihemi sa më shpejt në fushë”, shtoi ai.
Pas një sezoni tjetër të ngarkuar, Sinner ka zgjedhur të mos rrezikojë më tej dhe të fokusohet në rikuperimin e plotë. Tashmë, synimi i tij është rikthimi në Australian Open 2027, ku pritet të nisë kapitulli i radhës i sezonit.























