Zeqiri:S’ka më hapësirë bashkëpunimi mes LV-së e PDK-së për ligjin e presidentin
BKT
Lajme

Zeqiri:S’ka më hapësirë bashkëpunimi mes LV-së e PDK-së për ligjin e presidentin

K. K. / RTKlive

Në emisionin “RTK Prime”, analisti Sadik Zeqiri ka vlerësuar se pas zhvillimeve të fundit politike, nuk sheh më hapësirë për bashkëpunim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për zgjidhjen e çështjes së presidentit dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Zeqiri tha se gjatë ditës janë zhvilluar një sërë konferencash nga pozita dhe opozita, ndërsa përmendi edhe deklarimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk mund të bisedojë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, nëse fillimisht nuk zgjidhet çështja e presidentit.

Sipas tij, Kurti e ka vendosur zgjedhjen e presidentit si pikë të parë, ndërsa më pas kalimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Zeqiri theksoi se këto dy çështje nuk duhet të kushtëzohen me njëra-tjetrën. “Ligji për Dhomat e Specializuara s'ka të bëjë fare me presidentin dhe nuk duhet të ketë kushtëzime që ‘ne ta votojmë ligjin, ju votoni presidentin’. Kjo nuk duhet të ndodhë në Republikën e Kosovës e aq më pak në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Zeqiri.

Ai shtoi se ligji për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i përket vetëm PDK-së, por, sipas tij, është në interes të gjithë Kosovës.

 


MË SHUME NGA Lajme