Rrustemi: Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje, por për president
BKT
Lajme

Rrustemi: Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje, por për president

K. K. / RTKlive

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës që të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për stabilitet institucional.

Rrustemi ka thënë se pas ofertës së fundit të kryeministrit Albin Kurti, pret reflektimin e deputetëve të PDK-së për të marrë pjesë në seancë, për të votuar fillimisht Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe më pas presidentin.

“Ne presim reflektimin e deputetëve të PDK-së që të vijnë në seancë, ta votojmë ligjin dhe pastaj presidentin, me një zotim paraprak që deputetët e grupit të tyre parlamentar do të marrin pjesë në procesin e votimit të zgjedhjes së presidentit të Republikës”, ka deklaruar Rrustemi për RTK.

Ai ka thënë se qytetarët nuk duan zgjedhje dhe se deputetët kanë përgjegjësi kushtetuese e politike për të ndjekur interesin publik.

“Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje, ka nevojë për president, ka nevojë për stabilitet institucional, për t'u përballur edhe me Gjykatën Speciale e me të tjerat”, ka thënë ai.

Duke komentuar deklaratat e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili e cilësoi si joserioze mënyrën se si Kurti prezantoi emra të mundshëm për president, Rrustemi ka thënë se Vetëvendosja kishte ftuar Hamzën në takime për të diskutuar për presidentin.

“Ne kemi qenë të interesuar dhe e kemi ftuar zotin Hamza në takime për të diskutuar, ndërkohë që ai ka refuzuar. Ne kemi qenë të interesuar që të ndërtojmë marrëveshje për presidentin e bashkë me të edhe për ligjin, por ai ka refuzuar që të flasë për presidentin”, ka deklaruar Rrustemi.

Sipas tij, VV-ja ka bërë disa hapa lidhur me kërkesën e PDK-së për Ligjin për Dhomat e Specializuara, përfshirë procedimin e tij dhe miratimin në lexim të parë, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për ta votuar edhe në lexim të dytë.

Rrustemi ka kritikuar PDK-në duke thënë se qëndrimet e saj, sipas tij, ngrenë pikëpyetje nëse kjo parti e ka pasur seriozisht projektligjin për Dhomat e Specializuara.

“Unë kam përshtypjen që zoti Hamza po e demaskon të vërtetën e gjithë pozicionit politik të PDK-së, që nuk e ka pasur asnjëherë seriozisht projektligjin për Dhomat e Specializuara”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka shtuar se VV-ja ka qenë e gatshme gjatë gjithë javës të diskutojë me PDK-në për presidentin, ndërsa ka kundërshtuar kushtëzimin që marrëveshja për presidentin të bëhet vetëm pas miratimit të projektligjit në lexim të dytë.


MË SHUME NGA Lajme