Kurti propozon Justina Shiroka Pulën për presidente|VIDEO
Sh.G|RTKlive
Më pak se dy orë para skadimit të afatit kushtetues, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozon që Justina Shiroka Pulën të jetë kandidate për presidente.
Kurti përsëriti se janë të gatshëm që paraprakisht të votojnë për ndryshimet në Ligjin për Specialen nëse Hamza zotohet se do të marrin pjesë me votë në seancë.
Deklarimi i plotë i Kurtit:
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, refuzoi që të votohet njëherë projektligji mbi Gjykatën Speciale e mandej të bëhet votimi për president të ri në një seancë të njëjtë me dy pika të rendit të ditës.
Me këtë rast, kryetari Hamza e refuzoi edhe Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, me pretendimin që ata janë politikë, andaj të papranueshëm.
Më lejoni të citoj kryetarin Hamza se çfarë tha para juve para dy orëve: "Cili është qëllimi politik?", pyet ai. "Që me pasë një president politik dhe me përmbyllë, me thënë, në masën 100% kapjen e institucioneve të shtetit. Unë vazhdimisht kam qenë në takime, kemi bisedu sa ka seriozitet në këtë punë, kur veç sot dy-tri herë përcjell me qëndrime të ndryshme." — mbaron citati. Ndërkaq në pyetjen e gazetares: "Feride Rushiti nuk është me kartelë të Vetëvendosjes, pse nuk është e pranueshme për ju?", kryetari Bedri Hamza tha, citoj: "Nuk e di a e ka librezën, mendoj se është fort Vetëvendosje, nuk e di a ka librezë..." — mbaron citate.
Të nderuar gazetarë, kur ai thotë që tri-katër herë ka qëndrime të ndryshme, në fakt bëhet fjalë për propozime të reja. Natyrisht që propozimet e reja nuk janë propozime të vjetra, janë propozime të ndryshme sepse janë propozime të reja.
E para. Dhe e dëgjova edhe kritikën e tij lidhur me atë se Glauk Konjufca na qenka politik e partiak, e në anën tjetër edhe Feride Rushiti, doktoresha e nderuar, na qenka fort Vetëvendosje.
Atëherë më lejoni që këtu para juve, propozimin tonë të orës 20:00 ta modifikoj e ta përshtas edhe pak më tutje. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të del publikisht sonte pas meje menjëherë, që 22 deputetët e grupit parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votë në zgjedhjen për president.
Ne po ia votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale përpara. Një seancë me dy pika: pika e parë, leximi i dytë i projektligjit mbi Gjykatën Speciale e ka votën tonë. Dhe mandej, votimi për presidente të profesoreshës Justina Shiroka Pula nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ish-ministre e PDK-së në Qeverinë Thaçi 1. Pra, një seancë kuvendi me dy pika: votimi i projektligjit mbi Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe zgjedhja e kryetares të tretë të Republikës, profesoreshës Justina Shiroka Pula.
Pra, Justina Shiroka Pula do të pranohej nga shumica, nga Vetëvendosja me 53 deputetë sa jemi dhe gjithsej me pakica 62. Vetëm le të del pas kësaj konference që po e mbaj unë këtu kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e le të deklarojë, duke u zotuar publikisht që ai vetë i 22-ti, pasi që e voton leximin e dytë, vazhdon me qëndru edhe për pikën e dytë të seancës së njëjtë: votimi i presidentes së re të Republikës.























