Drita e nis me fitore BVA Balkan Cup
BKT
Sport

Drita e nis me fitore BVA Balkan Cup

UK/RTKLive.com

Klubi i volejbollit në kategorinë e vajzave, Drita, e ka nisur me fitore aventurën në BVA Balkan Cup Women 2026, pasi e ka mposhtur skuadrën maqedonase Nakovski Volley me rezultat 3-1.

Skuadra nga Gjilani e ka nisur mirë ndeshjen, por Nakovski Volley ka menaxhuar më mirë fazën e parë të setit dhe e ka fituar atë 25-20.

Drita ka reaguar menjëherë në setin e dytë. Gjilanaset e kanë marrë kontrollin e lojës dhe, me ritëm më të lartë dhe efikasitet në sulm, e kanë dominuar setin, të cilin e kanë fituar 25-15.

Në setin e tretë, Drita ka vazhduar me lojë të sigurt dhe ka krijuar gradualisht epërsinë e nevojshme. Nakovski Volley ka tentuar të rikthehet në lojë, por skuadra kosovare ka ruajtur qetësinë në momentet vendimtare dhe e ka fituar setin 25-20.

Drita e ka mbyllur me sukses edhe setin e katërt. Gjilanaset kanë luftuar për çdo pikë dhe në fund kanë treguar më shumë qetësi e koncentrim, duke e fituar setin 25-20 dhe ndeshjen 3-1.

Me këtë fitore, Drita e ka nisur me këmbë të mbarë garën në Strumicë, ndërsa nesër e pret një tjetër përballje e fortë.

Në ditën e dytë të BVA Balkan Cup, Drita do të përballet me Olympiacos-in e Greqisë. Ndeshja do të zhvillohet më shtatë tetor, nga ora 17:00.

Gjilanaset do të kërkojnë fitoren e dytë radhazi për ta vazhduar rrugëtimin drejt trofeut.

Fituesi i BVA Balkan Cup do të përballet me Benfica-n e Portugalisë në Challenge Cup, ka njoftuar Federata e Volejbollit e Kosovës.