Protesta vazhdon në Prishtinë, Policia bën thirrje për qetësi
E.Hoti/RTKlive
Protesta pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë ka vazhduar edhe në orët e mbrëmjes, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë thirrje që tubimi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe demokratike. Sipas Policisë, gjatë protestës ka pasur hedhje të mjeteve piroteknike dhe fishekzjarre, ndërsa një personi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Sipas Policisë së Kosovës, protesta fillimisht është zhvilluar e qetë, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë mbajtur fjalime.
Rreth orës 15:00, protestuesit kanë vendosur tenda në sheshin “Ibrahim Rugova”, pranë Kuvendit të Kosovës. Në orët e mbrëmjes, ata janë zhvendosur në sheshin “Skënderbeu”, ku kanë vazhduar protestën.
Policia ka njoftuar se gjatë protestës, nga persona të caktuar janë hedhur mjete piroteknike dhe janë ndezur fishekzjarre.
Gjatë protestës, një personi që ndodhej në mesin e turmës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Zyrtarët policorë kanë ndërhyrë për ta nxjerrë nga masa dhe, në bashkëpunim me qytetarë, e kanë dërguar brenda kordonit të sigurisë, ku i është ofruar ndihma e parë nga ekipi mjekësor.
Policia ka theksuar se ka respektuar të drejtën e qytetarëve për tubim dhe shprehje të lirë, ndërsa ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe objekteve publike e private.
Përmes një apeli, Policia u ka bërë thirrje protestuesve që të vazhdojnë tubimin në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.
“Forma e protestimit të qetë ndihmon dhe kontribuon në mbarëvajtjen e protestës, rendit dhe qetësisë publike, duke mos rrezikuar jetën dhe pronën publike e private”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.























